Situatë kritike në Gojan i Madh, zjarri përfshin banesat, nis evakuimi me urgjencë

Aktualitet | 2 muaj më parë

Një situatë të rëndë emergjence po kalon fshati Gojan i Madh në Njësinë Administrative Gjegjan (Bashkia Pukë), ku një vatër e fuqishme zjarri ka dalë tërësisht jashtë kontrollit. Të favorizuara nga erërat e forta dhe terreni i thyer pyjor, flakët i janë afruar me shpejtësi zonave të banuara, duke rrezikuar drejtpërdrejt jetën e banorëve dhe pronat e tyre.

Sipas të dhënave të para nga terreni, zjarri ka përfshirë dhe dëmtuar disa banesa (përfshirë struktura në lagjen ‘Pepaj’), ndërsa disa shtëpi të tjera ndodhen nën kërcënimin e menjëhershëm të flakëve.

“Gojan i Madh, zjarri del jashtë kontrolli, evakuohen disa familje ndërkohë që 2 banesa po digjen, rrezikohen edhe 3 të tjera”, informon gazetarja e RTSH-24.

Për shkak të shkallës së lartë të rrezikut, autoritetet vendore dhe Emergjencat Civile kanë urdhëruar evakuimin e menjëhershëm të banorëve të zonës. Disa familje janë larguar tashmë nga shtëpitë e tyre nën monitorimin e forcave të policisë dhe strukturave të emergjencës.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme