Situatë e rënduar në Vlorë, zjarri përfshin kodrat mbi spital, flakët rrezikojnë banesat dhe djegin ullinj shekullorë
Një situatë e rënduar nga zjarret është regjistruar gjatë ditës së sotme në qytetin e Vlorës. Prej orës 14:00 deri rreth orës 17:30, një zjarr i përmasave të mëdha ka përfshirë masivin kodrinor mbi Spitalin Rajonal të Vlorës, duke u përhapur përgjatë lagjeve “Partizani” dhe “15 Tetori” në drejtim të fshatit Babicë e Madhe.
Sipas gazetares së RTSH-24, përhapja e flakëve është favorizuar ndjeshëm nga era e fortë që ka përfshirë zonën. Si pasojë e zjarrit, raportohet se janë djegur qindra rrënjë ullinj shekullorë, si dhe sipërfaqe të tëra me pemëtari të ndryshme.
Djegia e sipërfaqeve bujqësore dhe pyjore ka krijuar alarm midis komunitetit vendos, me flakët që i janë afruar rrezikshëm zonave të banuara.
Zjarri ka rrezikuar edhe banesat në lagjen “Partizani”, ndërsa janë djegur edhe disa koshere bletësh.
“Jemi banorë. Kjo është shtëpia ime këtu. Na erdhi zjarri afër 20 metra nga shtëpia. I hodha ca ujë atje me se kisha një pompë aty, kisha pak ujë me zorrë atje. Zjarri sa po vinte e po dilte lart. S’erdhi sepse do të na nxirrte ujë të zi. Erdhi dhe policia. U dogjën ullinjtë atje“, rrëfeu një banor.
Operacioni në terren dhe vështirësitë e ndërhyrjes
Për përballimin e situatës emergjente, në terren kanë ndërhyrë forcat zjarrfikëse të ndihmuara nga banorët e zonës, si dhe efektivët e Policisë së Shtetit dhe Forcat “Shqiponja”.
Ndërhyrja e ekipeve të shpëtimit është vështirësuar nga disa faktorë simultanë, duke përfshirë terrenin e thyer, erën e fortë dhe praninë e disa vatrave të njëkohshme zjarri në territorin e bashkisë Vlorë, çka ka shkaktuar edhe mungesë të forcave të mjaftueshme në terren.
Pavarësisht kushteve të vështira, përpjekjet për izolimin dhe shuarjen e plotë të flakëve po vijojnë, ndërsa bilanci përfundimtar i sipërfaqes së dëmtuar mbetet ende për t’u përcaktuar nga autoritetet kompetente.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




