Hoxha me Kallas dhe ministrat e Ballkanit: Fokus te zgjerimi i BE-së dhe siguria rajonale

Ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme, Ferit Hoxha, mori pjesë në një drekë të thirrur nga zëvendëspresidentja e Komisionit Evropian dhe Përfaqësuesja e Lartë e BE-së për Punët e Jashtme dhe Politikën e Sigurisë, Kaja Kallas, ku ishin të pranishëm liderë dhe ministra të jashtëm të vendeve të Ballkanit Perëndimor. Diskutimet u përqendruan te zhvillimet aktuale në Ballkanin Perëndimor, sfidat me të cilat përballet rajoni, si dhe nevoja për koordinim të ngushtë në mbështetje të paqes, stabilitetit dhe sigurisë.
Përmes një postimi në rrjetin social X, ministri Hoxha tha se gjatë takimit me Kallas u theksua rëndësia e konkretizimit të perspektivës evropiane për të gjithë rajonin dhe ruajtjes së ritmit të procesit të zgjerimit të Bashkimit Evropian.
“Me Kallas nënvizuam rëndësinë e konkretizimit të perspektivës së BE-së për të gjithë rajonin, ruajtjen e momentumit të procesit të zgjerimit, avancimin e reformave dhe ankorimin e fortë të Ballkanit Perëndimor brenda familjes evropiane”, shkroi Hoxha.
Ministri i Jashtëm theksoi gjithashtu angazhimin e Shqipërisë për procesin e anëtarësimit në Bashkimin Evropian dhe për bashkëpunimin rajonal.
“Shqipëria mbetet plotësisht e përkushtuar ndaj procesit të saj të vazhdueshëm të anëtarësimit në BE dhe për të kontribuar në mënyrë konstruktive në bashkëpunimin rajonal, si dhe në një Evropë më të fortë, më të bashkuar dhe më të sigurt”, u shpreh Hoxha.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




