Ndërprerjet e seancës pas bllokimit të foltores nga opozita, Kuvendi miraton pa debat rendin e ditës pas kërkesës së PS
Pas tensioneve dhe ndërprerjeve të herëpashershme të seancës plenare, grupi parlamentar i Partisë Socialiste kërkoi kalimin direkt në votim të rendit të ditës.
Në emër të grupit të PS-së, deputeti Erion Malaj kërkoi që Kuvendi të mos vijonte me diskutimet dhe të kalonte drejtpërdrejt në votimin e pikave të rendit të ditës.
Kërkesa erdhi pas situatës së tensionuar në sallën e Kuvendit, ku deputetë të opozitës kishin bllokuar foltoren disa herë, duke shkaktuar katër herë ndërprerjen e seancës.
Propozimi i mazhorancës u hodh në votim dhe u miratua nga Kuvendi.
Pas miratimit të kërkesës, seanca do të vijojë direkt me miratimin e projektligjeve të parashikuara në rendin e ditës, duke shmangur vijimin e debateve.
Ndërprerjet e seancës erdhën pasi opozita kërkoi që në Kuvend të diskutohej çështja e ish-drejtoreshës së SHISH-it, Vlora Hyseni, e cila është shkarkuar nga detyra dhe ndodhet në masën e sigurisë “arrest në shtëpi”, në kuadër të hetimit që SPAK po zhvillon ndaj saj për dyshimet mbi lidhjet me Ergys Agasin.
Kuvendi miratoi projektligjet
Miratohet me 106 vota pro projektligji “Për pjesëmarrjen e Forcave të Armatosura të Republikës së Shqipërisë në operacionin ushtarak të Forcës Ndërkombëtare të Stabilitetit, në Gaza”
Miratohet me 75 vota pro, 1 kundër projektligji “Për disa ndryshime dhe shtesa në ligjin nr. 10236, datë 18.2.2010, “Për marrjen në kontroll të shoqërive me ofertë publike””
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




