Rama me komunitetin shqiptar në Staten Island: Nga këtu lindi Samiti i Diasporës. Emigrantët, rol kyç në ekonomi

Politikë | 2 orë më parë

Kryeministri Edi Rama u takua me komunitetin shqiptar në Staten Island të Nju Jorkut, ku theksoi rolin e rëndësishëm të diasporës në zhvillimin ekonomik të Shqipërisë dhe në përmirësimin e jetës së familjeve shqiptare.

Gjatë takimit, kryeministri kujtoi se ideja e samitit të parë të diasporës lindi pikërisht në Staten Island.

“Në vitin 2015 unë isha i ftuar këtu në Staten Island bashkë me Hashim Thaçin dhe në atë darkë u diskutua për herë të parë ideja e atij që një vit më pas u bë samiti i parë i diasporës në Tiranë, ku ishim së bashku me Hashim Thaçin,” deklaroi Rama.

Sipas tij, gjatë 10 viteve të fundit lidhja mes diasporës dhe Shqipërisë ka evoluar ndjeshëm.

“10 vjet prej atij samiti besoj se kanë ndodhur plot gjëra pozitive dhe lidhja e diasporës me Shqipërinë dhe Shqipërisë me diasporën, e cila deri asokohe përmblidhej vetëm në dërgesat që emigrantët shqiptarë çonin në Shqipëri për të ndihmuar që familjet t’i mbijetonin vështirësive, është kthyer në një lidhje ku shumëçka tjetër ndodh dhe ku janë ngritur ura nëpër të cilat kalojnë interesa, kalojnë investime, kalojnë edhe plot rikthime shqiptarësh në tokën amë, qoftë për të bashkëfinancuar me miq dhe të afërm projekte të ndryshme, por qoftë edhe për të qëndruar në Shqipëri,” theksoi ai.

Kryeministri vuri në dukje kontributin e jashtëzakonshëm të emigrantëve shqiptarë, duke e cilësuar atë si një nder të madh për historinë e vendit.

“Në këto vite ka një fakt që i bën një nder të madh diasporës shqiptare dhe që e vendos çdo emigrant shqiptar në një piedestal të posaçëm të historisë sonë. Fakti është që 90 për qind e familjeve shqiptare kanë përfituar të paktën një herë nga dërgesat financiare të diasporës. 9 në 10 shqiptarë kanë ngritur çatinë mbi kokë apo e kanë përmirësuar jetën e tyre falë jush, familjari, miku që i është gjendur në ditë të vështira. Ky është një nder i madh që do ta mbulojë me lavdi diasporën shqiptare të gjithë këtyre viteve,” theksoi më tej Rama.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Të ngjashme