Edi Rama në Nju Jork: Po krijohet regjistri kombëtar i diasporës, dritare për të investuar në Shqipëri
Kryeministri Edi Rama, gjatë një takimi me komunitetin shqiptar në Staten Island, Nju Jork, ka bërë të ditur se qeveria shqiptare ka nisur krijimin e një regjistri kombëtar të diasporës.
Sipas tij, ky regjistër do të shërbejë si “një dritare për të gjithë ata që duan të investojnë sadopak ose sado shumë në Shqipëri”.
Rama iu referua strategjisë kombëtare të diasporës 2030, të miratuar në samitin e fundit të diasporës. Ai theksoi se strategjia përfshin katër shtylla kryesore: qeverisjen dhe shërbimet, dialogun dhe ekspertizën e diasporës, ekonominë dhe inovacionin, si dhe gjuhën dhe kulturën për më të vegjlit.
Sipas tij, ndryshimi më i rëndësishëm në marrëdhënien me diasporën nuk është vetëm formal, por ka ndodhur “në mendësi”, duke e kthyer atë në një marrëdhënie “shumë gjithëpërfshirëse dhe organike”.
“Nga samiti i fundit i diasporës, ne dolëm me një strategji kombëtare të diasporës 2030, e cila ka në përbërjen e vet, në përmbajtjen e vet qeverisjen dhe shërbimet, dialogun dhe ekspertizën e diasporës, ekonominë dhe inovacionin si dhe gjuhën dhe kulturën për më të vegjlit.
Kemi nisur të krijojmë një regjistër kombëtar të diasporës si një dritare për të gjithë ata që duan të investojnë sadopak ose sado shumë në Shqipëri dhe ajo që është më e rëndësishmja është që ky ndryshim ka ndodhur në këtë marrëdhënie nuk ka ndodhur thjesht aty ku ta rrok syri, por ka ndodhur në mendësi, ka ndodhur në atë që sot është një marrëdhënie shumë gjithëpërfshirëse, shumë organike dhe pjesë e këtij organiciteti ishin edhe vezët që mu hodhën mua përpara pak netësh, të cilat treguan se jeta aktive shqiptare dhe jeta me Shqipërinë politike dhe me zhvillimet në Shqipëri është diçka që tanimë i ka integruar bashkë shqiptarët në Shqipëri dhe shqiptarët kudo ku ndodhen”, u shpreh Rama.
Në fjalën e tij, Rama komentoi edhe incidentin e hedhjes së vezëve ndaj tij disa net më parë, duke e cilësuar si shenjë të integrimit të shqiptarëve.
“Një nga hedhësit e vezëve kishte ardhur nga Anglia për të hedhur vezë. Mund të kishte ardhur direkt në Tiranë, por preferoi të vinte në Nju Jork,” tha ai, duke shtuar se shpresonte që personi “të ketë kaluar mirë edhe me policinë e Nju Jorkut”.
Ai vuri në dukje se në trupën e mbrojtjes që u angazhua pas incidentit, kryesori ishte një shqiptar që shërben në policinë e Nju Jorkut.
“Falë këtij integrimi të madh të shqiptarëve në jetën e këtij vendi dhe falë interesimit të madh të shqiptarëve për jetën e atij vendi, unë u ndodha komplet në shtëpi. Edhe policia, edhe protestuesit – njësoj si në Shqipëri,” u shpreh Rama.
Kryeministri e krahasoi Shqipërinë e sotme me të kaluarën, duke theksuar se vendi nuk është më “një njeri me dorën e shtrirë për të kërkuar ndihmë”, por “një njeri krahëhapur për të mirëpritur investime, partneritete dhe eksperiencën e kujtdo, duke filluar nga eksperienca e shqiptarëve jashtë vendit”.
Ai theksoi se, ndërsa disa familje vazhdojnë të kenë nevojë për ndihmë, Shqipëria si vend ka kaluar nga problematikat e mbijetesës te ato të zhvillimit.
“Koha kur Shqipëria mendonte ‘ka edhe më keq’ ishte koha kur ne nisëm së bashku këtë rrugëtim. Sot Shqipëria thotë ‘ka edhe më mirë’ dhe kjo është sfida jonë e përditshme,” deklaroi Rama.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.



