Ismajli: Rezultati mund të ishte më i thellë, Finlanda nuk duhet nënvlerësuar

Mbrojtësi i kombëtares shqiptare, Ardian Ismajli, ka folur për FSHF.TV pas fitores 2-0 ndaj Bjellorusisë në ndeshjen hapëse të Nations League. Mbrojtësi deklaron se rezultati mund të ishte edhe më i thellë dhe se objektivi është vendi i parë në grup, por skuadra duhet të tregojë këtë në fushën e blertë.
“Në fillim patëm pak vështirësi sepse nuk e pritëm Bjellorusinë që të bënte presion kështu. E pritëm pak më mbrapa, por megjithatë e kaluam dhe nga presingu i tyre, e morëm ndeshjen në kontroll. Fituam ndeshjen me meritë. Rezultati mund të ishte edhe më i thellë, megjithatë e rëndësishme është që morëm tre pikë dhe që filluam me këmbën e mbarë.
Nuk ka asnjë lloj problemi, sepse sidomos ne që luajmë në Itali kemi disa sisteme, si me 3 edhe me 4 mbrojtës. Kemi luajtur gjithmonë dhe përshtatemi direkt. Kemi lojtarë që mund të bëjmë dy formacione. Kjo i ka dhënë mundësi trajnerit që të bëjë këtë zgjedhje në këto kualifikuese.
Për mendimin tim, por edhe të çunave, vendi i parë është obligim për ne. Finlanda nuk duhet nënvlerësuar. Ka lojtarë goxha të mirë dhe do të duhet të tregojmë veten në fushë, që të marrim vendin e parë, që e bën më të lehtë rrugën drejt europianit”, ka thënë Ismajli.
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




