Një vit nga fronëzimi i Mitropolitit Anastas, kremtohet përvjetori në Mitropolinë e Korçës

Sociale | 1 orë më parë

Një vit nga fronëzimi i Hirësisë së Tij, Mitropolitit Anastasi, në fronin e shenjtë të Mitropolisë së Korçës, Pogradecit, Devollit, Kolonjës dhe Voskopojës. Për këtë përvjetor u zhvillua Liturgjia Hyjnore Kryepriftërore në Katedralen “Ngjallja e Krishtit” në Korçë, ku morën pjesë qindra besimtarë.

Mitropoliti Anastasi shprehu mirënjohjen për besimtarët dhe për mbështetjen e treguar gjatë këtij viti, duke përcjellë mesazhin e tij për komunitetin ortodoks të kësaj treve.

“Vëllezër dhe motra, Perëndia na bekoi këtë vit. Le të lutemi që të na japin shumë vite së bashku që të përparojmë jo në vepra materiale, të përparojmë në besim, të përparojmë në përulësi dhe të përparojmë në dashuri”, u shpreh Imzot Anastasi, Mitropoliti i Korçës.

Besimtarët e cilësuan këtë përvjetor si një ditë të rëndësishme për jetën shpirtërore të komunitetit, duke vlerësuar praninë dhe shërbesën e Mitropolitit gjatë vitit të parë në këtë detyrë.

“Mitropolitin e Korçës e urojmë. Ka bërë një punë të shkëlqyer. Jemi shumë të kënaqur dhe e kemi shumë për zemër’, tha një qytetare.

Liturgjia Hyjnore në Katedralen “Ngjallja e Krishtit” përmbylli ceremoninë kushtuar njëvjetorit të fronëzimit të Mitropolitit Anastasi, në një ditë ku besimtarët u bashkuan në lutje dhe urime për këtë përvjetor.

Gazetare: Eftjola Fili

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Të ngjashme