Aplikimet për master në Universitetin e Gjirokastrës, Fakulteti Ekonomik ofron 4 programe studimi

Arsim | 46 minuta më parë

Ndërsa aplikimet për programet master vijojnë në universitetin e Gjirokastrës, Dekani i Fakultetit Ekonomik, Lorenc Koçiu u bën thirrje të interesuarve të zgjedhin mes 4 programeve të këtij niveli.

“Aktualisht ofrohen master profesional në Kontabilitet-Financë, Master Profesional në Administrim Publik dhe Master Profesional në Turizëm. Po kështu, ofrohet edhe një Master i Shkencave në Financë-Kontabilitet, duke krijuar mundësi për studentët që të ecin përpara në karrierën e tyre akademike”, u shpreh Dekani i Fakultetit Ekonomik.

Viti i ardhshëm akademik do ta gjejë këtë fakultet me aktivitet dhjetëvjeçar të plotësuar me të tre ciklet e studimit.

“Fakulteti Ekonomik po bashkëpunon me Universitetin Daugavpils të Letonisë për të hapur Shkollën Doktorale, duke përmbyllur kështu edhe ciklin e tretë të studimeve dhe duke kompletuar të gjitha ciklet e studimit. Shkolla Doktorale pritet të jetë gati për vitin e ardhshëm akademik, 2026–2027”, tha ai.

Edhe pse i ri në moshë ky fakultet ka një staf që punon për ngritjen profesionale.

“Fakulteti Ekonomik është një nga fakultetet më të rinj të Universitetit të Gjirokastrës. Ka afro 10 vjet që është krijuar. Megjithatë, ka ecur me hapa jashtëzakonisht të shpejtë. 75% e stafit akademik kanë fituar titujt dhe gradat shkencore, ndërsa 25% e stafit akademik është në proces doktorature. Kjo tregon edhe cilësinë e lartë të arsimit që ofron Fakulteti Ekonomik për studentët’, theksoi Koçiu.

Degët e këtij fakulteti janë nga më të kërkuarat në ciklin bachelor ku ofron 5 të tilla dhe 3 programe dyvjeçare.

Gazetar: Y.Ponde

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Të ngjashme