“A Million Dreams”, skena e Korçës hapet për talentet e reja
Korça do të mirëpresë premierën e musical-it “A Million Dreams”, një aktivitet artistik që sjell në qendër të vëmendjes të rinjtë, pasionin e tyre dhe dëshirën për të krijuar.
Një skenë, shumë ëndrra dhe një brez i ri që guxon të shfaqë talentin e tij përmes muzikës, interpretimit dhe emocioneve që përcjell skena, ku të rinjtë bëhen protagonistë të një historie që flet për ëndrrat, guximin dhe besimin tek vetja.
“Janë të gjithë ata të rinj të cilët, në jetën artistike të qytetit, kanë qenë shumë aktivë në fusha dhe disiplina të ndryshme. Janë të rinjtë e gjimnazeve të ndryshme, janë të rinjtë e talentuar të “Rin Show”-t, që kanë marrë pjesë vit pas viti. Janë të rinjtë e talentuar që studiojnë tashmë në Akademinë e Arteve. Pra, profesionistë, gjysmë profesionistë, të rinjtë e gjimnazeve, të rinjtë e “Rin Show”-t, janë bërë të gjithë bashkë, pa asnjë lloj diference, për të sjellë një muzikal, i cili ka si qëllim dhe mesazh kryesor, ashtu siç edhe vetë të rinjtë e kanë në jetën e tyre, arritjen e dëshirave, të ëndrrave, të pasioneve dhe plotësimin e tyre, pavarësisht atyre një mijë pikëpyetjeve dhe dyshimeve që lindin në jetën e të rinjve”, u shpreh këngëtarja Gloria Nure.
“A MILLION DREAMS” nuk është vetëm një shfaqje, por edhe një mesazh për brezin e ri: çdo talent meriton një mundësi dhe çdo ëndërr ka nevojë për një skenë ku të shfaqet. Premiera do të zhvillohet më 3 tetor, nën kujdesin e bashkisë Korçë dhe Qendrës së Artit dhe Kulturës.
Gazetare: Geralda Manushi
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




