Prodhimi i fasules në Myzeqe, fermerët përballen me prodhim të dobët dhe çmim të ulët
Në zonën e Lushnjës dhe Divjakës, kultivimi I fasules vazhdon të mbetet një alternativë e rëndësishme për ekonominë e fermerëve dhe familjeve te tyre. Në një kohë kur shumë kultura bujqësore po përballen me vështirësi në treg, fasulja mbetet një produkt për të cilin ka kërkesë. Për këtë arsye, një pjesë e fermerëve kanë vendosur të zgjerojnë sipërfaqet e mbjella, me shpresën se prodhimi do t’u sigurojë të ardhura më të qëndrueshme.
“I kam të lidhur tregtarët dhe e shes me 2 mijë lekë. Me shumë pak. Me pesë-gjashtë dynym e kam rritur tani dhe shkuljen e bëj me makineri. E kam vetë makinerinë. Kam blerë makinerinë vetë dhe e rrahim me kombajnë. Çdo gjë bëhet me mekanikë, nuk bëhet më me dorë”, u shpreh fermeri.
Për fermerët, zgjerimi i sipërfaqeve me fasule është një zgjedhje e bërë nga nevoja për të gjetur një kulturë që mund t’u sigurojë treg. Por edhe këtë vit pritshmëritë nuk janë përmbushur plotësisht. Prodhimi ka qenë i dobët për shkak të kulteve klimaterike, ndërsa një tjetër problem janë dhe çmimi që del në treg përballë kostove të prodhimit.
“Ka shumë mundim, ka shumë mundim. Po çfarë do të mbjellim tjetër? Të gjitha që mbjellim ne janë zero. Ka vite që ka shkuar mirë, ka vite që, si sivjet, për shembull, nuk ka shumë”, tha ai.
Fermerët shpresojnë që në sezonet e ardhshme prodhimi të përmirësohet dhe tregu të reagojë me çmime më të mira. Sakaq kërkesa e tyre mbetet e njëjtë, politika mbështetëse për të përballuar kostot në mënyrë që aktiviteti bujqësor të vazhdojë.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




