Prezantohet “VisitShkodër 2.0”/Universiteti, projekt në shërbim të turizmit përmes kërkimit shkencor dhe AI
Gërshetimi i kërkimit shkencor me teknologjinë inovative dhe Inteligjencën Artificiale është në qendër të projektit më të ri “VisitShkodër 2.0” një iniciativë e Universitetit të Shkodrës në bashkëpunim me Agjencinë Kombëtare të Kërkimit Shkencor dhe Inovacionit.
Ky projekt synon të forcimin e bashkëpunimit mes akademisë, sipërmarrjes vendore dhe institucioneve, për ta kthyer veriun e Shqipërisë në një destinacion të turizmit inteligjent.
“Nëpërmjet këtij projekti ne do të strukturojmë informacionin në një platformë në mënyrë që vizitorët të kenë sa më tepër përmbajtje në qëndrimin e tyre”, u shpreh Brikena Dionizi, Pedagoge UNISHK, drejtuese e projetktit “VisitShkoder 2.0”.
Gjatë takimit promovues, vëmendje e veçantë iu kushtua rolit që duhet të luajnë Universiteti, pushteti vendor dhe komuniteti lokal në ndërtimin e një modeli turistik inovativ.
“Kjo rritje e ndjeshme e turizmit në rajonin e Shkodrës kërkon që edhe Universiteti i Shkodrës t’i përgjigjet, në fakt, me projekte të cilat nxisin zhvillimin e qëndrueshëm të këtij turizmi”, tha Blerta Dragusha, Rektore UNISHK.
“Në këtë kuadër, edhe institucioni i Prefektit të Qarkut Shkodër patjetër që do të vazhdojë angazhimin e tij në mbështetjen dhe lehtësimin e bashkëpunimit ndërmjet të gjithë aktorëve që kontribuojnë në zhvillimin e turizmit të qëndrueshëm, në zhvillimin ekonomik dhe në zhvillimin social në Qarkun e Shkodrës”, tha Holta Duda, Prefekte, Qarku Shkodër.
Përmes integrimit të platformave digjitale dhe teknologjisë AI, projekti “VisitShkoder 2.0” synon ta bëjë ofertën turistike të Shkodrës më të aksesueshme, më cilësore dhe më bashkëkohore për vizitorët vendas e të huaj.
Gazetar: A. Hoti
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




