Nisma e Interit dhe Milanit: Tifozët mund të marrin në shtëpi një pjesë të “San Siros”

Futboll Bota | 2 orë më parë

Në të kaluarën, marrja në shtëpi e një pjese të një tempulli konsiderohej sakrilegj; sot, kjo jo vetëm që është e mundur, por vetë veprimi mund t’i sjellë dobi mjedisit. Ky është një skenar i mundshëm për “San Siron”, tempullin e futbollit italian.

Dokumentet zyrtare të “Raportit të Vlerësimit Strategjik Mjedisor (SEA) për stadiumin e ri” zbulojnë se Interi dhe Milani po shqyrtojnë seriozisht mundësinë për t’u ofruar mijëra mbajtësve të biletave sezonale një kujtim me vlerë të jashtëzakonshme simbolike: stolat e stadiumit “Giuseppe Meazza”.

Nga kapaciteti total prej 75.817 vendesh, vlerësohet se rreth 80% – ose 60.654 stola – mund të rikuperohen. Kjo nismë do të kishte ndikim jo vetëm në aspektin e marketingut dhe të vlerës sentimentale, por edhe në atë mjedisor.

Falë këtij vendimi, rreth 273 tonë plastikë nuk do të përfundonin në vendgrumbullimet e mbetjeve, por në shtëpitë e tifozëve të dy klubeve.

Plani parashikon organizimin e ditëve të dedikuara – që kërkojnë rezervim dhe përfshijnë orare të shkallëzuara hyrjeje sipas sektorëve – gjatë të cilave sediljet do të çmontoheshin me ndihmë dhe do t’u dorëzoheshin tifozëve.

Megjithatë, planifikuesit e projektit theksojnë se “edhe pse kjo nismë nuk sjell kursime të konsiderueshme në raport me vëllimet totale të përfshira, ajo ka vlerë simbolike në kontekstin e ekonomisë rrethore”.

Në fakt, kjo do të shënonte njërën nga fazat fillestare të një projekti kompleks – çmontimin e stadiumit “Giuseppe Meazza” – i cili pritet të zgjasë 18 muaj dhe të ketë një kosto totale të vlerësuar prej 127 milionë eurosh.


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Të ngjashme