Kim rikthehet në orbitën e Milanit, në garë janë edhe klubet e Premier League

Futboll Bota | 42 minuta më parë

Mbrojtësi korean ka luajtur më parë në Serie A me Napolin. Ende nuk ka rinovuar me Bayern dhe duket një objektiv real për verën e ardhshme.

Kim, mbrojtësi i Bayern Munchen dhe me një të kaluar te Napoli, është kthyer në orbitën e Milanit. I përfolur më parë te kuqezinjtë në kohën e trajnerit Allegri, koreani shihet si një goditje e mundshme. Klubi italian është prej kohësh në kërkim të një qendërmbrojtësi me eksperiencë. Interesimin e Milanit për Kim e bën të ditur “Bild”, në një artikull për të ardhmen e 29-vjeçarit, kontrata e të cilit me bavarezët skadon në 2028-ën.

Ende nuk është e qartë, nëse kampionët e Gjermanisë do t’i besojnë apo jo atij për të ardhmen. Mbrojtësi sheh me përparësi Bayern, që në verën e 2023-shit shpenzoi 50 milionë euro për ta marrë nga Napoli.

Janë disa klube në fakt që po ndjekin situatën e Kim. Vështirë se koreani do të largohet nga Bundesliga në janar, kështu që planet po bëhen për merkaton e verës. Përveç Milanit, janë edhe dy klube angleze, si gjithmonë, që janë në garë për këtë futbollist.

Tottenham dhe Aston Villa duan ta transferojnë në Premier League, por Milani mund të luajë me faktin që mbrojtësi e njeh kampionatin italian. Kuqezinjtë duhet të vendosin, nëse do të bëjnë një investim të rëndësishëm për mbrojtjen në janar. Mes emrave që qarkullojnë është ai i Gonçalo Inacio të Sporting Lisbonës.


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Të ngjashme