Heronjtë e panjohur të fluturimit të FlyDubai, kush janë dy pilotët misteriozë që shpëtuan avionin nga katastrofa?

Tri ditë pas incidentit dramatik në fluturimin e FlyDubai drejt Izraelit, identiteti i dy pilotëve që ndërhynë për të shpëtuar avionin me 182 persona mbetet ende zyrtarisht i panjohur. Linja ajrore i ka cilësuar ata thjesht si anëtarë të ekuipazhit në detyrë që po udhëtonin në bord, duke përdorur praktikën e njohur si “deadheading” (udhëtim si pasagjer për të marrë më pas një avion tjetër në destinacion).
Një nga rrëfimet më të detajuara të ngjarjes është dhënë nga pasagjeri Daniel Schlichter, i cili ishte ulur në rreshtin e dytë të avionit. Sipas tij, prania e këtyre dy pilotëve shtesë ishte një rastësi shpëtuese.
“Kjo është një nga mrekullitë. Se jo në çdo fluturim ata sjellin dy pilotë shtesë. Në këtë rast, ata i sollën sepse duhet ta kishin sjellë aeroplanin nga Tel Avivi në Dubai,”, u shpreh Schlichter në një intervistë për Associated Press.
Përleshja në kabinë dhe marrja e kontrollit
Drama në bord nisi pasi pasagjerët zbuluan se bashkëpiloti kishte sulmuar rëndë kapitenin brenda kabinës, duke lënë gjurmë gjaku kudo. Pasi kapiteni i plagosur arriti të hapte derën dhe pasagjerët ndërhynë për të neutralizuar agresorin, dy pilotët shtesë vepruan me shpejtësi ekstreme për të marrë situatën në dorë.
“Ai në fakt po hidhej mbi djemtë që po merreshin me terroristin, dhe u shtri drejt zonës së pilotëve dhe filloi të merrte kontrollin. Dhe pastaj djali tjetër, piloti tjetër, u bashkua dhe mbyllën derën sepse nuk donin që askush tjetër të ishte atje,”, tregoi Schlichter.
Pas mbylljes së derës së kabinës, u deshën rreth 10 minuta luftë intensive për të stabilizuar avionin, i cili kishte pësuar një zbritje aq ekstreme sa një pjesë e timonit ishte shkëputur.
Dyshimet e pasagjerëve dhe ulja e sigurt në Tabuk
Në momentet e para pas stabilizimit, mungesa e komunikimit me pasagjerët krijoi një valë të madhe ankthi dhe dyshimi në bord, duke sjellë frikën se avioni mund të po rrëmbehej dhe të çohej drejt ndonjë vendi fqinj si Irani.
Megjithatë, pas rreth 45 minutash tensioni, pilotët njoftuan zyrtarisht se situata ishte nën kontroll dhe se avioni do të ulej në Tabuk të Arabisë Saudite, duke i dhënë fund dramës dhe duke konfirmuar rolin e tyre prej heronjsh në shpëtimin e jetëve të pasagjerëve.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.





