Rusia shkel hapësirën ajrore të Polonisë, Shefi i NATO-s, Mark Rutte: Do të mbrojmë çdo centimetër të territorit polak

Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Mark Rutte, ka rikonfirmuar angazhimin e palëkundur të Aleancës për sigurinë e krahut lindor, gjatë një vizite në Varshavë. Deklarata e tij vjen vetëm një ditë pasi Polonia raportoi se Rusia kishte shkelur hapësirën e saj ajrore me tre objekte, të cilat dyshohet të kenë qenë dy raketa dhe një dron.
Duke folur për mediat, siç raportoi të shtunën Agjencia Polake e Shtypit (PAP), kreu i Aleancës dha garanci të plota për sigurinë e vendit anëtar.
“Mund të garantoj se NATO do të mbrojë çdo centimetër të territorit polak”, deklaroi Rutte. Ai shtoi se komandanti i forcave të NATO-s në Evropë, Gjenerali Alexus Grynkewich, “do të bënte gjithçka që është e nevojshme për të identifikuar çdo kërcënim ndaj aftësive mbrojtëse dhe parandaluese dhe do të zbatonte rregullimet e duhura nëse është e nevojshme”.
Që prej nisjes së luftës së Rusisë në Ukrainë, dronët kanë hyrë vazhdimisht në hapësirën ajrore të vendeve në krahun lindor të NATO-s, duke rritur ndjeshëm tensionet me aleancën ushtarake perëndimore dhe duke shtuar shqetësimet për një përhapje të mundshme të konfliktit.
Incidenti i së premtes ndodhi në një moment të ndjeshëm, ndërsa Polonia po priste stërvitje ushtarake që përfshinin “Koalicionin e të Gatshmëve”, grupimin e aleatëve të Ukrainës. Sipas zyrtarëve polakë, kjo përputhje kohore u vlerësua si “jo aksidentale”.
Në vijim të këtyre zhvillimeve, PAP njoftoi të shtunën se të hënën do të mbahet në Bruksel një takim i Këshillit të Atlantikut të Veriut të NATO-s, ku do të diskutohet posaçërisht shkelja e hapësirës ajrore polake nga raketat ruse.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.





