Kosovë/ Komisioni për Legjislacion miraton unanimisht Ligjin për Dhomat e Specializuara

Kosovë | 1 orë më parë

Komisioni për Legjislacion në Kuvendin e Kosovës ka miratuar unanimisht plotësim-ndryshimin e Ligjit për Dhomat e Specializuara dhe Zyrën e Prokurorit të Specializuar. Projektligji pritet të procedohet për shqyrtim të parë në seancën e jashtëzakonshme të Kuvendit. Kryetari i Komisionit për Legjislacion, Vigan Qorolli, tha se komisioni ka marrë në shqyrtim opinionin e Ministrisë së Drejtësisë dhe se, sipas tij, ndryshimet përmbushin standardet e nevojshme ligjore. Qorrolli deklaroi se grupi parlamentar i Lëvizjes Vetëvendosje do ta mbështesë projektligjin, duke kërkuar njëkohësisht unitet të deputetëve për miratimin e tij.

“Ne si LVV do ta japim votën tonë pro dhe do të ndihmojmë që ta kalojmë këtë situatë, sepse lufta e drejtë e UÇK-së është pjesa më e lavdishme e identitetit tonë”, tha Qorrolli.

Anëtari i Komisionit nga radhët e PDK-së, Përparim Gruda, tha se ndryshimet synojnë të rregullojnë juridiksionin për rastet e krimeve të luftës, pa prekur Kushtetutën dhe pa cenuar detyrimet ndërkombëtare të Kosovës. Sipas Grudës, kompetenca për shqyrtimin e çështjeve të caktuara do t’i bartet Gjykatës Kushtetuese të Kosovës, ndërsa rastet e tjera për krime lufte do të mund të trajtohen nga institucionet e drejtësisë në Kosovë.Gruda sqaroi se procesi ndaj ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi dhe Rexhep Selimi, do të vijojë në Hagë dhe, në rast të një shkalle të tretë gjykimi, çështja do të procedohej në Kosovë.

Ndërkohë, anëtari i Komisionit nga AAK-ja, Besnik Tahiri, kërkoi që ndryshimet ligjore të miratohen gjatë ditës në të dyja leximet. Tahiri tha se ndryshimi i ligjeve është pjesë e funksionimit normal të institucioneve dhe se përvoja e krijuar nga proceset gjyqësore duhet të merret parasysh në përmirësimin e legjislacionit. Pas miratimit në Komisionin për Legjislacion, projektligji pritet të kalojë për shqyrtim në seancën e jashtëzakonshme të Kuvendit të Kosovës.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme