CIA goditet nga një sulm kibernetik, në shënjestër informacioni i paklasifikuar

CIA dhe Zyra e Drejtorit të Inteligjencës Kombëtare (ODNI) janë përballur me një sulm kibernetik që ka prekur sistemet e përdorura për analizën e informacionit të paklasifikuar. Dyshimet paraprake çojnë drejt Kinës, por ende nuk ka prova që konfirmojnë përfshirjen e qeverisë kineze.
Sipas burimeve, të cituara nga CNN, ndërhyrja ka prekur një sistem që agjencitë amerikane përdorin për mbledhjen dhe analizimin e inteligjencës me burim të hapur.
Megjithatë, zyrtarët amerikanë kanë theksuar se informacionet e klasifikuara nuk janë komprometuar dhe se sistemet kritike të inteligjencës kanë vijuar funksionimin normal.
“Nuk ka pasur ndërprerje në kapacitetet kritike apo sistemet e klasifikuara”, deklaroi një zyrtar i ODNI për CNN.
Deri më tani, nuk është bërë e ditur se kur ka ndodhur sulmi, sa të dhëna mund të jenë prekur apo nëse ndërhyrja është neutralizuar plotësisht.
Incidenti vjen në një periudhë shqetësimesh në rritje për sigurinë kibernetike të institucioneve amerikane. Vetëm ditët e fundit, FBI është përballur me një tjetër ndërhyrje të dyshuar në bazën kombëtare të të dhënave kriminale. Paralelisht, një sërë problemesh teknologjike kanë prekur edhe sektorin privat dhe infrastrukturën kritike amerikane, përfshirë bankat, sistemet e kontrollit të trafikut ajror dhe shërbimet e Microsoft.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




