SHBA miraton shitjen e armëve prej 1 mld dollarësh për Emiratet e Bashkuara Arabe

Amerikë | 2 orë më parë

Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë njoftuar miratimin e një shitjeje prej 1 miliard dollarësh për Emiratet e Bashkuara Arabe, që përfshin deri në 10.000 seksione udhëzuese të Sistemit të Avancuar të Armëve.

“Shitja e propozuar do të përmirësojë aftësinë e Emirateve të Bashkuara Arabe për të përballuar kërcënimet aktuale dhe të ardhshme, duke zhvilluar dhe ruajtur një aftësi të fortë dhe të gatshme vetëmbrojtëse, si dhe duke përmirësuar interoperabilitetin me forcat amerikane,” thuhet në një deklaratë të Departamentit të Shtetit të SHBA-së.

Ajo “do të mbështesë objektivat e politikës së jashtme dhe të sigurisë kombëtare të Shteteve të Bashkuara duke përmirësuar sigurinë e një partneri kryesor të mbrojtjes,” shton deklarata.

Sistemi i Avancuar i Armëve të Precizonit për Vrasje shndërron raketat e padrejtuara në municione precize, të cilat mund të përdoren ndër të tjera për të rrëzuar dronë, duke shmangur kështu përdorimin e raketave të shtrenjta për të shkatërruar avionë relativisht të lirë.

Emiratet e Bashkuara Arabe dhe vendet e tjera të Gjirit që janë aleate të SHBA-së janë goditur rëndë nga lufta me Iranin, gjatë së cilës forcat e Teheranit i kanë synuar ato vazhdimisht me dronë dhe raketa.

Departamenti i Shtetit ka njoftuar gjithashtu miratimin e një shitjeje prej 400 milionë dollarësh për Kuvajtin, që përfshin “shërbime riparimi dhe kthimi” për raketat Patriot, të cilat kanë luajtur një rol kyç në kundërvënien ndaj sulmeve iraniane në rajon.

“Kuvajti do të përdorë aftësinë e përmirësuar për të forcuar mbrojtjen e atdheut” dhe “nuk do të ketë vështirësi për të absorbuar këto artikuj dhe shërbime në forcat e tij të armatosura,” thuhet në deklaratën e departamentit.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme