“Situata në Kosovë u përshkallëzua në orët e fundit”, Ish ministri Selimi: Kurti e lidhi Gjykatën Speciale me votën për Presidentin

Kosovë | 1 orë më parë

Ish-ministri i Jashtëm i Kosovës, Petrit Selimi, deklaroi se situata në Prishtinë është tensionuar ndjeshëm gjatë orëve të fundit, teksa para Kuvendit janë mbledhur protestues që kërkojnë miratimin në lexim të dytë të ligjit për Gjykatën Speciale.

Në një lidhje të drejtpërdrejtë për emisionin “3D” me Alban Dudushin, Selimi tha se përshkallëzimi i situatës ka qenë i ndjeshëm gjatë dy orëve të fundit.

“Vazhdon të jetë një situatë e tensionuar në rrugët e Kosovës. Situata është eskaluar shumë dramatikisht në këto dy orët e fundit. Ka pasur shumë protestues rreth Kuvendit, të cilët që nga mëngjesi kanë kërkuar që deputetët të mos dalin nga salla derisa të kalohet edhe në leximin e dytë ligji për Gjykatën Speciale.”

Selimi kujtoi se projektligji kishte marrë mbështetjen e shumicës së deputetëve në leximin e parë, por për t’u bërë i plotfuqishëm duhet të kalojë edhe një votim të dytë në Kuvend.

Sipas tij, kryetari i PDK-së ka shprehur gatishmërinë që pas miratimit të këtij ligji të procedohet menjëherë me diskutimin për presidentin, por situata është komplikuar për shkak të afateve politike.

“Këtu është edhe kurthi që u bë për sot, sepse kryeministri Kurti e la për sot, vetëm një ditë para afatit të fundit të zgjedhjes së presidentit, të procedohej ligji. Tashmë kemi hyrë në një pazar, shantazh e kushtëzim. Me gjasë, kryeministri Kurti i ka thënë kreut të PDK-së: më votoni presidentin tim, të votoj ligjin për Specialen.”

Selimi e cilësoi këtë situatë si të papërshtatshme politikisht, ndërsa kritikoi edhe ndërhyrjen e policisë për shpërndarjen e protestuesve.

“Ky shantazh është pa shije, por krijoi edhe një situatë dramatike që ka eskaluar në këtë protestë dhe në urdhrin e policisë për të liruar rrugët e bllokuara nga protestuesit me gaz lotsjellës.”

Ai shtoi se përdorimi i gazit lotsjellës ndaj protestuesve ishte i panevojshëm, duke nënvizuar se në mesin e tyre ndodheshin veteranë të luftës dhe familjarë të tyre.

“Për mua është e tepërt që ky gaz lotsjellës hidhet ndaj veteranëve dhe fëmijëve të veteranëve të luftës. Është e tepruar dhe e panevojshme. Kjo tregon se zoti Kurti dëshiron të hyjë në një cikël zgjedhjesh të jashtëzakonshme parlamentare në një situatë të polarizuar.”

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme