Vdekja e 28-vjeçares në laboratorin e murtajës, OBSH siguron: Rreziku për publikun është i ulët

Organizata Botërore e Shëndetësisë ka vlerësuar si të ulët rrezikun për shëndetin publik pas vdekjes së një 28-vjeçareje që punonte në një institut kërkimor në Siberi, i specializuar në studimin e murtajës.
E reja ndërroi jetë pasi kishte zhvilluar pneumoni, ndërsa rrethanat e sakta të vdekjes ende nuk janë bërë të qarta. Disa media lokale kanë raportuar se ajo mund të ishte ekspozuar ndaj bakterit të murtajës pas një incidenti në laborator, ku dyshohet se ishte thyer aksidentalisht një provëz.
Megjithatë, autoritetet shëndetësore ruse nuk kanë konfirmuar zyrtarisht deri tani se 28-vjeçarja ka humbur jetën nga murtaja.
OBSH ka bërë të ditur se po komunikon me autoritetet ruse për të mbledhur informacion mbi rastin dhe për të sqaruar rrethanat e vdekjes. Sipas organizatës, “rreziku për shëndetin publik aktualisht konsiderohet i ulët”.
Një tjetër element që ka ndikuar në këtë vlerësim është identifikimi i personave që kanë pasur kontakt me 28-vjeçaren. Ata janë vënë nën monitorim dhe, sipas të dhënave të raportuara tek OBSH, asnjëri prej tyre nuk ka shfaqur deri tani simptoma të lidhura me sëmundjen.
OBSH po shqyrton gjithashtu rezultatet e analizave diagnostikuese, rrethanat e incidentit të dyshuar në laborator dhe masat e marra për gjurmimin e kontakteve.
Murtaja shkaktohet nga bakteri “Yersinia pestis” dhe, ndonëse lidhet historikisht me epidemi të mëdha, sot mund të trajtohet me antibiotikë nëse diagnostikohet dhe trajtohet në kohë.
Për momentin, mungesa e një konfirmimi zyrtar për shkakun e vdekjes bën që të jetë ende herët për të folur për një shpërthim të murtajës apo për një emergjencë shëndetësore.
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




