Teherani: Marrëveshja e paqes me SHBA-në s’është e pamundur. Pezeshkian zhvillon bisedime me Putinin

Botë | 1 orë më parë

Presidenti i Iranit, Masoud Pezeshkian, ka deklaruar se arritja e një marrëveshjeje paqeje me Shtetet e Bashkuara të Amerikës nuk është e pamundur, duke theksuar se Teherani është i hapur për zgjidhje diplomatike nëse respektohet e drejta ndërkombëtare. Deklarata e tij erdhi gjatë një bisede telefonike me presidentin rus, Vladimir Putin, me të cilin diskutoi mbi situatën ushtarake dhe tensionet e vazhdueshme me SHBA-në dhe Izraelin.

Sipas agjencisë iraniane të lajmeve Fars, Pezeshkian nënvizoi se Irani kërkon një marrëveshje të balancuar, por pa cenuar sovranitetin dhe interesat e tij kombëtare.

“Irani është plotësisht i përgatitur të arrijë një marrëveshje të balancuar dhe të drejtë që garanton paqe dhe siguri të qëndrueshme në rajon. Vijat tona të kuqe janë interesat kombëtare dhe të drejtat e popullit iranian. Nëse Shtetet e Bashkuara i përmbahen kornizave ligjore ndërkombëtare, arritja e një marrëveshjeje nuk është e pamundur”, citohet të ketë thënë Pezeshkian.

Gjatë bisedës me udhëheqësin rus, presidenti iranian vuri theksin te rëndësia e bashkëpunimit mes vendeve të rajonit për të garantuar stabilitetin, duke kundërshtuar praninë e fuqive perëndimore në Lindjen e Mesme.

Ai deklaroi se Irani është i gatshëm të bashkëpunojë me fqinjët e tij për të arritur paqen pa praninë apo ndërhyrjen e vendeve jashtë rajonit.

Agjencia Fars raportoi gjithashtu se presidenti rus Vladimir Putin mbështeti qëndrimin e Teheranit, duke theksuar se Uashingtoni dhe Tel Avivi duhet të mbajnë përgjegjësi për veprimet e tyre ushtarake.

Sipas raportimeve, Putin nënvizoi nevojën që SHBA-ja dhe Izraeli të paguajnë dëmshpërblime lufte ndaj Iranit, si dhe t’i ofrojnë Teheranit garanci afatgjata sigurie për të parandaluar çdo përsëritje të mundshme të agresionit ushtarak në të ardhmen.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme