Play-off-i i Botërorit 2027/ Shqipëria mundet nga Uellsi

Kombëtarja e vajzave zhvilloi një ndeshje të madhe mbrëmjen e sotme në stadiumin “Loro Boriçi”, në sfidën e parë ndaj Uellsit, e vlefshme për raundin e parë të play-off-it të Botërorit 2027.
Vajzat kuqezi, të drejtuara nga trajneri Armir Grima, dhuruan një paraqitje dinjitoze dhe luftuan deri në fund për një rezultat pozitiv, por u mundën minimalisht me rezultatin 0-1.
Një sfidë ku Shqipëria tregoi karakter, guxim dhe dëshirë për të kërkuar golin, duke e mbajtur të hapur betejën për kualifikimin.
Trajneri Grima hodhi në fushë këtë formacion: Spahiu (GK), Bajraktari, Hilaj, Maliqi, Levenaj, Franja, Gresa Berisha, Metalla, Krasniqi, Fortesa Berisha, Doçi.
Pjesa e parë ishte e ekuilibruar, me të dyja skuadrat që qarkulluan topin dhe kërkuan hapësirat drejt portës kundërshtare. Shqipëria krijoi disa mundësi të mira shënimi me Gresa Berishën, Fortesa Berishën dhe Qendresa Krasniqin, por ishte Uellsi që kaloi në avantazh në minutën e 21-të, me Rowe, e cila përfitoi nga një rrëmujë në zonë.
Vajzat kuqezi vijuan të kërkonin golin e barazimit, ndërsa në minutën e 44-t, trajneri Grima u detyrua të zëvendësonte Sara Maliqin, e cila pësoi një dëmtim, duke aktivizuar Xhesika Ndojin.
Në pjesën e dytë, Shqipëria rriti presionin dhe iu afrua disa herë golit të barazimit. Rasti më i pastër erdhi me Fortesa Berishën, e cila fillimisht u ndal nga portierja kundërshtare dhe më pas goditi traversën, në një aksion që mund të kishte ndryshuar fatin e takimit.
Në minutën e 66-të, Qendresa Krasniqi dërgoi topin në rrjetë, por goli u anulua për pozicion jashtë loje të Fortesa Berishës. Sulmuesja kuqezi pati edhe një tjetër mundësi të artë, por topi përfundoi mbi traversë.
Pavarësisht humbjes minimale, Shqipëria tregoi se mund të rivalizojë denjësisht me Uellsin dhe do të udhëtojë drejt ndeshjes së kthimit me besimin se kualifikimi mbetet i mundur.
Sfida e dytë do të luhet më 13 tetor, në orën 20:15, në Uells.
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




