Ministri Nufi takon studentët shqiptarë në Ankara: Investim për mjekët e ardhshëm të Forcave të Armatosura

Aktualitet | 58 minuta më parë

Gjatë vizitës së tij zyrtare në Turqi, ku u prit nga homologu turk dhe zhvilloi takime në kuadër të forcimit të bashkëpunimit në fushën e mbrojtjes, ministri i Mbrojtjes, Ermal Nufi, takoi edhe studentët shqiptarë që ndjekin studimet në Fakultetin e Mjekësisë Gülhane, pjesë e Universitetit të Shkencave të Shëndetësisë në Ankara.

Në një postim në rrjetet sociale, ministri e cilësoi takimin si një bashkëbisedim të hapur dhe frymëzues me të rinjtë shqiptarë që po formohen në një nga institucionet më prestigjioze të arsimit mjekësor në Turqi.

Ermal Nufi, ministër i Mbrojtjes, u shpreh “Bashkëbisedim i përzemërt me studentë shqiptarë që ndjekin studimet në Fakultetin e Mjekësisë Gülhane, pjesë e Universitetit të Shkencave të Shëndetësisë në Ankara. Një takim i hapur dhe plot energji pozitive, ku folëm për jetën studentore, përvojën e tyre në Turqi, sfidat dhe mundësitë që i presin, por edhe për Shqipërinë dhe vizionin e tyre për të ardhmen e vendit tonë.”

Ministri vlerësoi nivelin e përgatitjes së studentëve shqiptarë dhe rëndësinë e mundësive që ata po përfitojnë falë bashkëpunimit mes dy vendeve në fushën e mbrojtjes dhe arsimit ushtarak.

“Prania e tyre në këtë universitet prestigjioz është një tjetër dëshmi e bashkëpunimit të shkëlqyer mes Ministrisë së Mbrojtjes së Shqipërisë dhe Ministrisë së Mbrojtjes Kombëtare të Turqisë, si dhe një investim i rëndësishëm në përgatitjen e brezit të ardhshëm të mjekëve të Forcave të Armatosura të Republikës së Shqipërisë.”

Sipas Nufit, të rinjtë shqiptarë që studiojnë jashtë vendit përfaqësojnë një vlerë të shtuar për zhvillimin e vendit dhe për forcimin e marrëdhënieve mes Shqipërisë dhe partnerëve strategjikë.

“Të rinjtë shqiptarë, kudo që ndodhen, janë pjesë e së ardhmes sonë. Njohuritë që fitojnë, përvojat që përjetojnë dhe lidhjet që ndërtojnë janë një pasuri për vendin tonë dhe një urë e fortë miqësie mes Shqipërisë dhe Turqisë,” theksoi ministri.

Takimi u zhvillua në kuadër të vizitës zyrtare të ministrit Nufi në Ankara, e fokusuar në forcimin e bashkëpunimit dypalësh në fushën e mbrojtjes, arsimit ushtarak dhe shkëmbimit të eksperiencave mes institucioneve të dy vendeve.

 

  •  

    /rtsh.al/


    Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

    Komentet 0

    Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

    Të ngjashme