Sulmi me dronë në Moskë, avioni i Putinit mbetet në ajër

Europë | 2 orë më parë

Një sulm me dronë që autoritetet ruse ia atribuojnë Ukrainës ka shkaktuar ndërprerje të përkohshme në trafikun ajror të Moskës, duke detyruar autoritetet të vendosin kufizime në katër aeroportet kryesore të kryeqytetit rus.

Sipas mediave ndërkombëtare, situata u krijua në momentin kur presidenti rus Vladimir Putin po kthehej nga Turkmenistani, ku kishte marrë pjesë në disa takime dhe samite. Raportimet sugjerojnë se disa avionë të skuadronit special presidencial “Rossiya” mbetën për një kohë në ajër për shkak të kufizimeve të vendosura në aeroportet e Moskës. Megjithatë, nuk është konfirmuar nëse Putin ndodhej në bordin e ndonjërit prej avionëve të prekur.

Sipas informacioneve të publikuara nga mediat perëndimore, katër avionë të skuadronit presidencial fluturuan pranë Moskës gjatë mbylljes së përkohshme të aeroporteve, ndërsa dy prej tyre thuhet se u detyruan të devijonin drejt aeroporteve alternative.

Korrespondenti kryesor ndërkombëtar i “Wall Street Journal”, Yaroslav Trofimov, shkroi në rrjetin social X se delegacioni i Putinit dukej se kishte mbetur përkohësisht i bllokuar në ajër për shkak të mbylljes së aeroportit, por pa konfirmuar praninë e presidentit rus në ndonjërin prej avionëve.

Ndërkohë, Agjencia Federale Ruse e Transportit Ajror, Rosaviatsiya, njoftoi se për arsye sigurie u vendosën kufizime në ngritjet dhe uljet e avionëve në aeroportet Sheremetyevo, Domodedovo, Vnukovo dhe Zhukovsky.

Kryebashkiaku i Moskës, Sergei Sobyanin, deklaroi se sistemet ruse të mbrojtjes ajrore rrëzuan 15 dronë që po i afroheshin kryeqytetit.

Si pasojë e situatës, kompania ajrore Aeroflot anuloi dhe shtyu një numër fluturimesh, ndërsa disa avionë u devijuan drejt aeroporteve të tjera. Kompania paralajmëroi gjithashtu se mund të ketë vonesa të mëtejshme për shkak të nevojës së ekuipazheve për të respektuar oraret e detyrueshme të pushimit.

Sipas raportimeve më të fundit të agjencisë Interfax, aeroporti Sheremetyevo i është rikthyer funksionimit normal, ndërsa në aeroportet e tjera fluturimet po kryhen me kufizime dhe në koordinim me autoritetet kompetente.

 

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme