Dajlanët në Bunë, shqetësim për biodiversitetin/Organizata e Menaxhimit të Peshkimit ka nisur kontrollet në terren

Sociale | 12 minuta më parë

Rivendosja e pinarëve  dhe rrjetave fikse të peshkimit, në Liqenin e Shkodrës dhe përgjatë lumit Buna, ka rikthyer në vëmendje shqetësimet për mbrojtjen e faunës ujore.

Organizata e Menaxhimit të Peshkimit në Shkodër bën të ditur se vendosja e këtyre strukturave lejohet vetëm në periudha të caktuara të vitit dhe në përputhje me kriteret e përcaktuara.

“Strukturat që merren me vëzhgimin dhe rregullimin e gjuetisë së ngjalës kanë përcaktuar një periudhë të caktuar, pra jo gjatë gjithë vitit, por të ndarë në dy sezone: tre muaj në pranverë dhe tre muaj në vjeshtë. Organizata e Menaxhimit të Peshkimit, së bashku me Bashkinë e Shkodrës, në muajin qershor ka bërë asgjësimin e të gjitha strukturave, të vjetra dhe të reja, që shfrytëzoheshin për kapjen e ngjalës, por që nuk ishin të pajisura me leje dhe nuk ishin pjesë e kuadrit të menaxhimit të peshkimit të ngjalës”, u shpreh Arjan Cinari, Drejtuesi i OMP Shkodër.

Shqetësimi për këtë fenomen është ngritur edhe nga aktivistët mjedisorë, të cilët e konsiderojnë vendosjen e barrierave përgjatë lumit Buna një kërcënim për biodiversitetin. Sipas tyre, këto struktura ndikojnë në lëvizjen e lirë të peshqve dhe në funksionimin natyror të ekosistemit ujor.

“Nuk jam kundër peshkimit tradicional me rrjeta, por jo me rrjeta statike, pasi metoda të tilla, të vendosura përgjatë gjithë pjesës së burimit të lumit Buna, pengojnë krejtësisht migrimin e peshqve drejt detit Adriatik. Buna është korridori që lidh Liqenin e Shkodrës me detin Adriatik”, tha Biologia, dhe aktivistja mjedisore, Aurora Piroviq.

Sipas ekspertëve të mjedisit, gjatë tri dekadave të fundit popullatat e peshqve në Liqenin e Shkodrës dhe lumin Buna kanë pësuar dëmtime të konsiderueshme, si pasojë e peshkimit të paligjshëm dhe mbi peshkimit.

Në këtë situatë, kontrolli i strukturave të peshkimit dhe garantimi i migrimit të lirë të specieve mbeten thelbësore për mbrojtjen e biodiversitetit dhe ripërtëritjen natyrore të pasurive peshkore të Liqenit të Shkodrës dhe Bunës.

Gazetar: A. Hoti

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme