Vlorë/Analizat e ujit brenda normave, vijon hetimi për shkakun e helmimit të fëmijëve

Shëndet | 37 minuta më parë

Pas shqetësimit të krijuar nga rastet e dyshuara të helmimit të fëmijëve në Kopshtin nr. 10 në Vlorë, vjen edhe reagimi zyrtar i Ujësjellës-Kanalizimeve Rajoni Vlorë për cilësinë e ujit të pijshëm.

Sipas institucionit, analizat fiziko-kimike dhe bakteriologjike të kryera nga Drejtoria e Shëndetit Publik në 22 kampione uji kanë rezultuar brenda normave të lejuara, pa prani amoniaku apo nitritesh.

Ngjarja u regjistrua mbrëmjen e së premtes, kur disa fëmijë të këtij kopshti shfaqën simptoma si të vjella, temperaturë dhe diarre, duke përfunduar në Pediatrinë e Spitalit Rajonal të Vlorës. Fillimisht u dyshua për helmim nga ushqimi, ndërsa më pas hetimet u përqendruan edhe te cilësia e ujit dhe kushtet higjieno-sanitare në ambientet ku zhvillohej aktiviteti i kopshtit.

Ujësjellës Kanalizimet i Rajonit Vlorë thekson se rezultatet e 22 kampioneve janë në përputhje me standardet përkatëse dhe se monitorimi i cilësisë së ujit do të vijojë rregullisht.

Ndërkohë, fëmijët e prekur janë në gjendje të mirë shëndetësore dhe ndodhen pranë familjeve të tyre, pasi kanë marrë trajtimin mjekësor ndërkohë që kopshti këtë te hënë ka hapur dyert për fëmijët.

Shkaku përfundimtar i episodeve mbetet ende për t’u përcaktuar, ndërsa pritet që hetimi epidemiologjik dhe analizat laboratorike të hedhin dritë mbi rrethanat e ngjarjes.

Gazetare: Sonila Mlloja

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme