Begaj dhe Mattarella presin krerët e komunave arbëreshe në Quirinale: Bëjini të rinjtë të dashurohen me këtë traditë!

Politikë | 1 minutë më parë

Presidenti i Shqipërisë, Bajram Begaj, dhe homologu i tij italian, Sergio Mattarella, pritën sot në Pallatin Quirinale, në Romë, kryetarët e të gjitha komunave arbëreshe në Itali, në një takim që vuri në pah lidhjet historike dhe kulturore mes dy vendeve.

Gjatë fjalës së tij, Begaj e cilësoi komunitetin arbëresh si një dëshmi të gjallë të vëllazërisë shqiptaro-italiane, duke theksuar se prej më shumë se pesë shekujsh arbëreshët kanë ruajtur gjuhën, traditat dhe identitetin e tyre.

“Miqësitë mes shteteve mund të ndërtohen nga interesat e përbashkëta, ndërsa vëllazëria lind nga historia, nga kujtesa, lind nga lidhjet njerëzore. Ju, të dashur arbëreshë, jeni themeli i kësaj vëllazërie”, u shpreh Presidenti shqiptar.

Begaj falënderoi në mënyrë të veçantë Presidentin italian Sergio Mattarella për organizimin e këtij takimi të përbashkët, duke e cilësuar atë një mik të çmuar të Shqipërisë dhe një mbështetës të anëtarësimit të vendit në Bashkimin Evropian.

“Takimi ynë i sotëm është shumë më tepër sesa një ngjarje protokollare; është dëshmi e gjallë e miqësisë së veçantë ndërmjet Shqipërisë dhe Italisë, një miqësi që i ka rrënjët e thella historike, por që mbetet po aq e fuqishme dhe frymëzuese në kohë moderne”, deklaroi ai.

Kreu i Shtetit vlerësoi gjithashtu mbështetjen e vazhdueshme të Italisë për Shqipërinë, duke e cilësuar vendin fqinj si aleate të besueshme, partnere strategjike dhe një nga mbështetëset më të vendosura të integrimit evropian të Shqipërisë.

Një pjesë të rëndësishme të fjalës së tij, Begaj ia kushtoi rolit të arbëreshëve dhe shqiptarëve që jetojnë në Itali në forcimin e marrëdhënieve mes dy popujve. Ai vlerësoi modelin e integrimit të komunitetit arbëresh në shoqërinë italiane, duke theksuar se ruajtja e identitetit kombëtar dhe integrimi në vendin pritës nuk janë procese që përjashtojnë njëra-tjetrën, por që mund të pasurojnë shoqërinë.

“Sot, krahas komunitetit historik arbëresh, qëndron edhe komuniteti i ri i shqiptarëve, që prej dekadash jetojnë, studiojnë, punojnë dhe ndërtojnë të ardhmen e tyre në Itali. Ata janë bërë pjesë e rëndësishme e jetës ekonomike, shoqërore, akademike dhe kulturore italiane”, tha Begaj.

Sipas tij, këto dy komunitete, megjithëse të ndara nga shekuj historie, bashkohen përmes aftësisë për t’u integruar, për të kontribuar në shoqëri dhe për të ruajtur lidhjen me origjinën.

“Në një Evropë që përballet me sfida të shumta, përvoja e arbëreshëve dhe e shqiptarëve të sotëm në Itali përcjell një mesazh me shumë vlerë: integrimi dhe ruajtja e identitetit nuk e përjashtojnë njëra-tjetrën. Përkundrazi, ato mund ta pasurojnë shoqërinë dhe të forcojnë mirëkuptimin mes popujve”, theksoi Presidenti.

Begaj nënvizoi gjithashtu rëndësinë e aleancës Shqipëri-Itali në kuadër të NATO-s dhe aspiratën që të dy vendet të jenë së bashku edhe në Bashkimin Evropian, duke e cilësuar integrimin evropian si një objektiv strategjik të Shqipërisë.

Në përfundim, Presidenti shqiptar u bëri thirrje kryetarëve të komunave arbëreshe që të vijojnë të ruajnë dhe përcjellin te brezat e rinj gjuhën, traditat, ritet dhe kulturën e tyre.

“Bëjini të rinjtë të dashurohen me këtë traditë!”, ishte mesazhi i tij.

Në fund të takimit, Begaj dhe Mattarella shkëmbyen dekorata në shenjë vlerësimi të ndërsjellë për kontributin në forcimin e vëllazërisë, miqësisë dhe aleancës strategjike mes Shqipërisë dhe Italisë.


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme