Alarm sigurie në Britani, SHBA largon avionët ushtarakë nga baza ajrore

Botë | 20 minuta më parë

Shtetet e Bashkuara kanë zhvendosur disa avionë ushtarakë nga baza ajrore RAF Mildenhall në Britani, pas informacioneve për një kërcënim të mundshëm të lidhur me Iranin. Sipas The Wall Street Journal, e cila citon burime të njohura me çështjen, dy avionë amerikanë për furnizim me karburant u larguan të hënën nga baza ajrore në drejtim të Gjermanisë. Më pas, edhe avionë të tjerë u zhvendosën drejt Gjermanisë dhe vendeve të tjera. Megjithatë, natyra e saktë e kërcënimit nuk është bërë e ditur.

Një zëdhënës i Ministrisë britanike të Mbrojtjes theksoi se Londra zakonisht nuk komenton aktivitetet e forcave të vendeve të tjera dhe se lëvizjet e avionëve bëhen rregullisht në përputhje me kërkesat operacionale. Ndërkohë, Pentagoni dhe Komanda Evropiane e Ushtrisë amerikane nuk iu përgjigjën menjëherë kërkesave të Reuters për koment.

Zhvendosja e avionëve vjen disa javë pas një incidenti tjetër sigurie në bazën ajrore RAF Fairford, në jugperëndim të Anglisë, ku shtatorin e kaluar u arrestuan pesë persona jashtë objektit ushtarak. Pas këtij rasti, autoritetet britanike kryen edhe dy arrestime të tjera, nën dyshimet për ndihmë ndaj shërbimeve të inteligjencës iraniane.

Si masë paraprake, forcat amerikane larguan nga baza bombarduesit B-1 që ishin të vendosur atje. Baza RAF Fairford ishte përdorur nga ushtria amerikane për operacione ajrore kundër Iranit, çka kishte shtuar shqetësimet për sigurinë e instalimeve ushtarake amerikane në territorin britanik. Kryeministri britanik Andy Burnham deklaroi muajin e kaluar se incidenti mund të kishte lidhje me aktivitete të koordinuara iraniane. Ky pretendim është kundërshtuar nga ambasadori i Iranit në Britani.

Deri më tani, autoritetet amerikane dhe britanike nuk kanë dhënë detaje zyrtare mbi natyrën e kërcënimit që çoi në zhvendosjen e fundit të avionëve ushtarakë.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme