Shehu: Raporti i BE-së konfirmon progresin e Shqipërisë, dhuna nuk mund ta zëvendësojë dialogun demokratik

Kosovë | 25 minuta më parë

Drejtori Ekzekutiv i Qendrës Amerikane për Luftimin e Ekstremizmit dhe Terrorizmit (ACCET), Arianit Shehu, vlerëson se Raporti i Progresit i Komisionit Evropian konfirmon avancimin e Shqipërisë drejt anëtarësimit në Bashkimin Evropian.

Në një shkrim autorial, Shehu thekson se integrimi duhet të mbetet mbi interesat partiake, transmeton KosovaPress.

Shehu konsideron se raporti i publikuar më 4 nëntor 2026 përbën një vlerësim të rëndësishëm institucional për reformat dhe rezultatet e Shqipërisë, duke njohur angazhimin e qeverisë së Edi Ramës dhe administratës shqiptare në procesin e integrimit.

Sipas tij, hapja e të gjithë kapitujve negociues dhe mbyllja provizore e 4 prej tyre dëshmojnë përparimin konkret të vendit, ndërsa objektivi për përfundimin e negociatave deri në fund të vitit 2027 mbetet ambicioz, por i realizueshëm nëse vazhdon ritmi i reformave.

“Progresi i Shqipërisë drejt anëtarësimit në Bashkimin Evropian është lajmi i mirë që shqiptarët e kanë pritur prej dekadash. Hapja e të gjithë kapitujve negociues dhe avancimi i procesit të integrimit janë arritje konkrete, për të cilat meritojnë vlerësim qeveria e Edi Ramës, angazhimi i saj politik dhe puna e administratës shqiptare”, shkruan Shehu.

Ai thekson se raporti i Komisionit Evropian përbën një përgjigje institucionale ndaj përpjekjeve për destabilizimin e Shqipërisë, duke paralajmëruar se dhuna mund të ndikojë negativisht në imazhin ndërkombëtar, investimet dhe turizmin.

“Raporti i Komisionit Evropian përbën një përgjigje të fuqishme institucionale ndaj sulmeve të dhunshme dhe përpjekjeve të koordinuara për destabilizimin e Shqipërisë. Këto veprime rrezikojnë t’u shërbejnë interesave armiqësore që synojnë një Shqipëri të përçarë, me institucione të dobësuara dhe me perspektivë evropiane të cenuar”, shprehet ai.

Megjithatë, Shehu nënvizon se përgjegjësia për organizimin e veprimeve të tilla kërkon prova, ndërsa institucionet duhet t’u përgjigjen sfidave përmes forcimit të demokracisë dhe unitetit kombëtar.

Në analizën e tij, ai vlerëson se raporti i Brukselit nuk është dokument politik në mbështetje të qeverisë apo opozitës, por instrument për matjen e përmbushjes së standardeve evropiane.

Sipas Kosovapress, Shehu thekson se gjetjet pozitive nuk duhet të shpërfillen për shkak të përplasjeve të brendshme politike, por njëkohësisht kërkon trajtimin serioz të vërejtjeve për korrupsionin, polarizimin dhe forcimin e institucioneve.

Duke iu referuar zhvillimeve politike në Shqipëri, ai bën dallimin ndërmjet protestës paqësore si e drejtë demokratike dhe veprimeve të dhunshme ndaj institucioneve.

“Protesta paqësore është një e drejtë themelore demokratike, por sulmet ndaj institucioneve, shkatërrimi i pronës dhe aktet e dhunshme nuk mund të konsiderohen alternativa legjitime ndaj dialogut demokratik”, thekson Shehu.

Sipas tij, raporti nuk e delegjitimon opozitën dhe as protestën qytetare, por ofron një bazë objektive për debat politik të mbështetur në fakte, përgjegjësi institucionale dhe respektim të rendit demokratik.

Në përfundim, Shehu kërkon që integrimi evropian të trajtohet si interes strategjik kombëtar, përtej dallimeve politike.

“E ardhmja evropiane e Shqipërisë nuk do të përcaktohet nga dhuna por nga cilësia e reformave, qëndrueshmëria e institucioneve dhe rezultatet konkrete. Në momente vendimtare për të ardhmen e kombit, interesi i Shqipërisë duhet të qëndrojë mbi çdo interes partiak, personal apo politik”, përfundon Shehu.

Shkrimi i plotë:

Raporti i fundit i Progresit i Komisionit Evropian, i publikuar më 4 nëntor 2026, përbën një vlerësim të rëndësishëm të rrugëtimit evropian të Shqipërisë. Ky dokument ofron një pasqyrë institucionale dhe të pavarur të reformave dhe rezultateve konkrete të vendit.

Progresi i Shqipërisë drejt anëtarësimit në Bashkimin Evropian është lajmi i mirë që shqiptarët e kanë pritur prej dekadash. Hapja e të gjithë kapitujve negociues dhe avancimi i procesit të integrimit janë arritje konkrete, për të cilat meritojnë vlerësim qeveria e Edi Ramës, angazhimi i saj politik dhe puna e administratës shqiptare. Ky është një moment krenarie dhe shprese për çdo shqiptar, pavarësisht bindjeve politike. Kemi ende punë përpara, por sot kemi arsye të gëzohemi së bashku. Sepse përtej politikës së ditës, ajo që ka rëndësi është se Shqipëria po i afrohet realizimit të ëndrrës sonë të përbashkët evropiane.

Mesazhi nga Brukseli është i qartë: Shqipëria ka shënuar përparim të rëndësishëm drejt anëtarësimit në Bashkimin Evropian. Hapja e të gjithë kapitujve negociues dhe mbyllja provizore e katër prej tyre dëshmojnë një avancim konkret të procesit të integrimit. Objektivi për përfundimin e negociatave deri në fund të vitit 2027 mbetet ambicioz, por i arritshëm nëse ruhet ritmi i reformave.

Raporti i Komisionit Evropian përbën një përgjigje të fuqishme institucionale ndaj sulmeve të dhunshme dhe përpjekjeve të koordinuara për destabilizimin e Shqipërisë. Këto veprime rrezikojnë t’u shërbejnë interesave armiqësore që synojnë një Shqipëri të përçarë, me institucione të dobësuara dhe me perspektivë evropiane të cenuar. Ndërsa përgjegjësia për organizimin e tyre kërkon prova, pasojat e dhunës për imazhin ndërkombëtar, investimet dhe turizmin janë shqetësime serioze. Shqipëria duhet t’u përgjigjet këtyre sfidave me unitet kombëtar, forcë institucionale dhe vendosmëri në rrugën e saj të pakthyeshme drejt Bashkimit Evropian.

Raporti i Komisionit Evropian përfaqëson një nga instrumentet më kredibile për vlerësimin e punës së institucioneve shqiptare. Ai nuk hartohet për të mbështetur qeverinë apo opozitën, por për të vlerësuar përmbushjen e standardeve evropiane.

 

Prandaj, gjetjet pozitive të raportit nuk mund të shpërfillen për shkak të interesave apo narrativave të politikës së brendshme. Njëkohësisht, vërejtjet për korrupsionin, polarizimin politik dhe forcimin e institucioneve duhet të trajtohen me seriozitet.

Në këtë kontekst, vlerësimi i Brukselit nxjerr në pah kontrastin ndërmjet progresit institucional të dokumentuar dhe përpjekjeve për ta zhvendosur debatin politik drejt konfrontimit dhe dhunës. Protesta paqësore është një e drejtë themelore demokratike, por sulmet ndaj institucioneve, shkatërrimi i pronës dhe aktet e dhunshme nuk mund të konsiderohen alternativa legjitime ndaj dialogut demokratik.

Raporti nuk delegjitimon opozitën apo protestën qytetare. Përkundrazi, ai vendos një standard objektiv për debatin publik, ku kritikat dhe alternativat politike duhet të mbështeten në fakte, përgjegjësi institucionale dhe respektimin e rendit demokratik.

Integrimi evropian është interes kombëtar

Integrimi në Bashkimin Evropian nuk është pronë e asnjë qeverie apo partie politike. Ai është një objektiv strategjik kombëtar dhe një aspiratë e përbashkët e qytetarëve shqiptarë.

Progresi i njohur nga Komisioni Evropian meriton të vlerësohet si rezultat i reformave dhe angazhimit institucional, duke njohur punën e qeverisë dhe administratës, por edhe duke kërkuar vazhdimin e reformave dhe forcimin e llogaridhënies politike.

E  ardhmja evropiane e Shqipërisë nuk do të përcaktohet nga dhuna por nga cilësia e reformave, qëndrueshmëria e institucioneve dhe rezultatet konkrete. Në momente vendimtare për të ardhmen e kombit, interesi i Shqipërisë duhet të qëndrojë mbi çdo interes partiak, personal apo politik.

 

 

/rtsh.al/

 


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme