BE udhëzon shtetet anëtare kundër kërcënimeve hibride, parandalimi dhe gatishmëria në fokus të manualit të ri të emergjencave

Përballë një numri në rritje të ngjarjeve kibernetike që synojnë infrastrukturën publike dhe private në Evropë — nga bllokimi i sistemeve të ftohjes në supermarkete deri te pengesat në kontrollin e trafikut ajror — Bashkimi Evropian i ka përcjellë qeverive anëtare, një manual strategjik për përballimin e emergjencave hibride.
Dokumenti zyrtar, i nënshkruar nga Komisionerja Evropiane për Përgatitjen dhe Menaxhimin e Krizave, Hadja Lahbib, parashtron nevojën për kundërmasa imediate dhe stërvitjen e popullsisë për të përballuar goditjet e mundshme.
Në hyrje të udhëzuesit, Lahbib nënvizon se “Bashkimi Evropian përballet me një peizazh gjithnjë e më kompleks rreziqesh, të përcaktuar nga linjat e reja gjeopolitike, ndryshimet klimatike, inovacioni i shpejtë teknologjik dhe presionet mbi qëndrueshmërinë demokratike e kohezionin social”.
Në qendër të këtij manuali qëndron koncepti i vetëmjaftueshmërisë afatshkurtër, ku vendoset si kusht “si t’i rezistosh një sulmi serioz për të paktën tre ditë”.
Për të parandaluar pasojat e ndërprerjes së energjisë elektrike, rrjeteve të komunikimit apo furnizimit në spitale e rrjete tregtare, BE-ja rekomandon krijimin e rezervave individuale bazë. Ndër masat e përcaktuara renditen ujë i pijshëm, ushqime të konservuara, drita me bateri, si dhe “para në dorë, kartëmonedha dhe monedha të vogla për blerjet thelbësore shtëpiake”.
Udhëzimet evropiane nuk kufizohen vetëm në rrafshin logjistik, por i bëjnë thirrje shteteve anëtare të nisin fushata të zgjeruara ndërgjegjësimi publik. Kjo përfshin organizimin e takimeve informuese në shkolla, përdorimin e figurave me ndikim publik dhe transmetimin e mesazheve që nxisin përgatitjen pa shkaktuar panik.
Masa të tilla parandaluese reflektojnë shqetësimin në rritje të institucioneve evropiane ndaj sulmeve të shpeshtuara kibernetike, duke synuar rritjen e qëndrueshmërisë publike dhe mbrojtjen e infrastrukturave kritike në mbarë bllokun.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.



