Rama nga Parisi: Protestat në Shqipëri nisën nga projekti i Kushnerit, por dhuna e mëvonshme është e papranueshme

Politikë | 26 minuta më parë

Kryeministri Edi Rama ka folur për protestat në Shqipëri gjatë një bashkëbisedimi në Musée de l’Homme në Paris, ku po zhvillohet “Forumi i Paqes”, i fokusuar te zgjerimi i Bashkimit Europian dhe e ardhmja e brezit të ri.

I pyetur mbi zhvillimet e fundit, Rama bëri një dallim të qartë mes manifestimeve masive fillestare dhe akteve të mëvonshme protestuese.

Ai sqaroi se në fillim të muajit qershor pati një pjesëmarrje të gjerë qytetarësh nga të gjitha fushat e jetës, të cilët shprehnin shqetësime rreth projektit të lidhur me Jared Kushner, dhëndrin e Donald Trump-it.

“Është po ashtu kënaqësi të flasësh me ju, duke e ditur që përfaqësoni një institucion studimor që është një prej burimeve më me emër të dijes dhe të frymëzimit për projektin evropian.

Por, t’ju kthyer pyetjes suaj, do thosha që në rastin tonë protestat kanë veçantitë e tyre. Në të njëjtën kohë do të bëja një dallim midis asaj çka ka ndodhur në fillim, pra në manifestimet masive të fillim qershorit, ku pati një numër mjaft të madh njerëzish që vinin nga të gjitha fushat e jetës e që shprehnin shqetësime të cilat erdhën prej do të projektit të famshëm ose famëkeq, siç e doni, të që lidhet me Jared Kushner, dhëndri i Donald Trump-it.

Dhe ishte si një lloj shamie apo flamuri i kuq që nxiti këtë zemërim, po themi në qytetin tonë”, tha Rama.

Sipas kryeministrit, evoluimi i mëvonshëm i tubimeve devijoi nga qëllimi fillestar.

“Nga kjo pastaj mbeti një numër shumë i vogël protestuesish që më vonë e përshkallëzuan në dhunë, që sigurisht nuk është e pranueshme dhe që nuk ka të bëjë aspak e nuk ka të bëjë më me atë çfarë ishte protesta në fillim fare,” nëvizoi ai.

Kreu i qeverisë nënvizoi se çdo protestë kërkon reflektim, mirëpo sfondi i zhvillimeve në Shqipëri mbetet mjaft kompleks.

“Mendoj se kurdo e kudo ka një protestë, ka arsye mbi të cilat duhet reflektuar e arsye për të cilat duhet menduar në përpjekje për të gjetur se çfarë ka në sfond. Dhe sfondi i kësaj proteste është shumë kompleks… është njësoj si një tenxhere ku ziejnë gjithçka: nga shqetësimi i përgjithshëm për mjedisin te gjepura antisemite të ushqyera apo të ndezura nga armiqtë e vendit tonë, konkretisht Republika Islamike e Iranit, apo gjithashtu edhe nga partitë e opozitës që fshihen pas apo së fundi nuk fshihen dhe aq, te të rinjtë e radikalizuar me iluzionet e antifashizmit, te njerëzit me shqetësime legjitime për koston e jetesës, deri te njerëz që janë sjellë dhe paguar nga krimi i organizuar,” deklaroi Rama.

Për përballimin e kësaj situate shumëdimensionale, kryeministri theksoi se reagimi i shtetit nuk mund të jetë njëtrajtësh, por kërkon një balancë mes dialogut shoqëror dhe zbatimit të ligjit.

“Është një gjë e tërë shumë komplekse që në fund nuk duhet trajtuar në një mënyrë, por duhet trajtuar në disa mënyra me rregulla të ndryshme: nga njëra anë të dëgjosh, të përpiqesh të krijosh dialog, të reflektosh për gjërat e ndryshme — çka ne e bëjmë gjatë gjithë kohës dhe që janë pasqyruar edhe në buxhetin e ri me masa që lehtësojnë trysninë e kostos së jetesës — e tek rregullat e shtetit të së drejtës, puna e policisë, e prokurorisë dhe e gjykatave kundër personave që kanë kryer shkelje,” u shpreh ai.

Në kuadër të sfidave me të cilat përballet rinia sot, kreu i ekzekutivit tha se kjo është një situatë komplekese në mbarë Evropën” dhe si “një përplasje midis botës reale dhe botës së medias sociale.”

“[Media sociale është burim] prej nga ku shumë të rinj marrin informacionin apo edhe dizinformacionin apo të dyja. E po kështu edhe frymëzimin për të përshkallëzuar në mënyra të cilat janë të papranueshme në një shoqëri demokratike,” shtoi ai.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme