Hita në Romë me drejtuesit e Policisë Kriminale dhe Antimafias italiane, strategji e re kundër grupeve kriminale

Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Skender Hita, ka zhvilluar në Romë takime me drejtuesit e lartë të Policisë Kriminale dhe Drejtorisë Hetimore Antimafia të Italisë, ku në fokus ishte forcimi i bashkëpunimit për goditjen e grupeve kriminale që veprojnë në të dyja vendet.
Gjatë vizitës zyrtare në Itali, Hita dhe delegacioni që e shoqëronte u pritën në Drejtorinë Qendrore të Policisë Kriminale nga prefekti Raffaele Grassi, Zëvendësdrejtor i Përgjithshëm i Sigurisë Publike dhe Drejtor Qendror i Policisë Kriminale, si dhe nga gjenerali Nicola Massimo Masciulli, Drejtor i Drejtorisë Hetimore Antimafia (DIA).
Në takim morën pjesë gjithashtu drejtues të strukturave italiane kundër narkotikëve, të bashkëpunimit ndërkombëtar policor dhe të Shërbimit Qendror Operacional të Policisë.
Diskutimet u përqendruan te intensifikimi i hetimeve dhe operacioneve të përbashkëta për identifikimin dhe goditjen e grupeve kriminale që shtrijnë aktivitetin e tyre në Shqipëri dhe Itali. Vëmendje iu kushtua luftës kundër trafikut të drogës, trafiqeve të paligjshme, krimeve kibernetike dhe formave të tjera të kriminalitetit ndërkufitar.
Një prej prioriteteve të përcaktuara ishte shkëmbimi në kohë reale i informacionit dhe inteligjencës policore, koordinimi i operacioneve dhe goditja e burimeve financiare të organizatave kriminale. Po ashtu, palët diskutuan për intensifikimin e kërkimeve për lokalizimin dhe arrestimin e personave të shpallur në kërkim nga drejtësia shqiptare dhe italiane.
Hita shprehu angazhimin e Policisë shqiptare për të zgjeruar bashkëpunimin, duke rritur numrin dhe kapacitetet e skuadrave të përbashkëta hetimore, me synimin për të zhvilluar hetime më të thelluara dhe operacione të koordinuara kundër strukturave kriminale, pavarësisht kufijve shtetërorë.
Nga ana tjetër, prefekti Grassi dhe gjenerali Masciulli vlerësuan bashkëpunimin e deritanishëm me strukturat e Policisë shqiptare dhe shprehën gatishmërinë për ta çuar atë në një nivel më të lartë.
Në përfundim të takimeve, palët ranë dakord për hartimin e një strategjie të re bashkëpunimi, me objektiv arritjen e rezultateve konkrete në luftën kundër krimit të organizuar dhe rrjeteve kriminale ndërkufitare.
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.








