Negociatat me Iranin, s’ka përparim as pas takimit të të dërguarve të Trumpit me ndërmjetësuesit e Katarit

Botë | 7 minuta më parë

Të dërguarit e lartë të Shteteve të Bashkuara, Steve Witkoff dhe Jared Kushner, janë takuar në Berlin me zyrtarë të lartë ndërmjetësues nga Katari për të diskutuar një zgjidhje diplomatike për konfliktin e Uashingtonit me Teheranin, sipas një raporti të Axios.

Megjithatë, pavarësisht bisedimeve, nuk është arritur asnjë përparim i madh, bëjnë të ditur burime të afërta me zhvillimet.

Katari u përfaqësua në tryezën e bisedimeve nga kryeministri i tij, Sheikh Mohammed bin Abdulrahman Al Thani, si dhe nga i dërguari i tij, Ali al-Thawadi. Takimi në kryeqytetin gjerman vjen pas një raundi paraprak kontakti më herët gjatë javës në Doha, ku një delegacion i nivelit të ulët i negociatorëve iranianë zhvilloi bisedime me homologët e tyre nga Katari.

Përpjekjet e ndërmjetësimit të udhëhequra nga Katari synojnë të gjejnë një rrugëdalje nga përballja mes Uashingtonit dhe Teheranit dhe të shmangin një përshkallëzim të mëtejshëm ushtarak apo rifillimin e armiqësive të drejtpërdrejta në rajon.

Bisedimet e mëparshme të ndërmjetësuara kanë prekur çështje të ndjeshme si kufizimet bërthamore dhe inspektimet ndërkombëtare, lehtësimi i sanksioneve dhe bllokadave detare, lirimi i fondeve të ngrira, si dhe siguria e lundrimit në ngushticën e Hormuzit.

Pavarësisht intensitetit të kontakteve diplomatike mes palëve dhe ndërmjetësuesve rajonalë, mosmarrëveshjet mbi kushtet e një marrëveshjeje më të gjerë mbeten të pashlyera dhe bisedimet e fundit nuk kanë sjellë ndonjë zhbllokim të rëndësishëm.

Ndërkohë që diplomacia vazhdon në prapaskenë, tensionet në Lindjen e Mesme dhe pasiguria rreth qëndrimit të Uashingtonit mbeten të larta, me paralajmërime e debate të vazhdueshme mbi balancën mes presionit ushtarak dhe një zgjidhjeje të negociuar.

Takimi i zhvilluar në Berlin tregon se kanalet e komunikimit mbeten të hapura përmes ndërmjetësimit të Katarit, por pa sinjale konkrete se një marrëveshje është afër realizimit.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme