‘Lufta’ me AI/ Trump: Do ndaloj ndërtimin e qendrave të të dhënave jashtë SHBA-së. Ua merr Kina të gjitha

Amerikë | 22 minuta më parë

Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, ka deklaruar se nuk do t’u lejojë kompanive amerikane të ndërtojnë qendra të dhënash jashtë vendit, duke paralajmëruar se Kina mund të përfitojë nga investime të tilla dhe duke kërcënuar me taksa të rënda për firmat që veprojnë ndryshe.

Trump theksoi se do të luftojë fort që qendrat e të dhënave të ndërtohen brenda Shteteve të Bashkuara, me argumentin se vendi duhet të ruajë kontrollin mbi infrastrukturën kritike që mbështet industrinë e inteligjencës artificiale.

“Nuk do ta lejoj sepse Kina do t’i marrë të gjitha”, u shpreh Trump, duke shtuar se kompanitë amerikane që ngrenë qendra të dhënash jashtë vendit do të përballen me një “taksë të jashtëzakonshme”.

“Unë dhe Xi ramë dakord që do të vendosim masa mbrojtëse të përbashkëta për inteligjencën artificiale.” — Donald Trump

Gjatë prononcimeve të tij, presidenti amerikan shprehu gjithashtu vlerësim për kompaninë e inteligjencës artificiale Anthropic, duke thënë se ka “shumë respekt” për të.

Sa i përket bashkëpunimit mes Uashingtonit dhe Pekinit në fushën e inteligjencës artificiale, ai bëri të ditur se ai dhe presidenti kinez Xi Jinping kanë rënë dakord për të vendosur kufizime dhe masa mbrojtëse të përbashkëta mbi këtë teknologji.

Këto deklarata vijnë në mes të konkurrencës në rritje mes Shteteve të Bashkuara dhe Kinës për inteligjencën artificiale, ku të dyja vendet po forcojnë infrastrukturën llogaritëse për të ruajtur avantazhin në zhvillimin e modeleve të avancuara.

Trumpit kërkon t’i mbajë investimet strategjike teknologjike brenda SHBA-së, në një kohë kur qendrat e të dhënave janë bërë vendimtare për trajnimin dhe funksionimin e sistemeve të inteligjencës artificiale.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme