Vance mbron vendimin e Trumpit për luftën kundër Iranit

Zëvendëspresidenti i SHBA-së, JD Vance, ka dalë në mbrojtje të vendimit të presidentit Donald Trump në luftën kundër Iranit, duke iu përgjigjur pyetjeve mbi ndikimin e këtij konflikti në rezultatin e zgjedhjeve afatmesme amerikane.
Gjatë një konference për shtyp të mbajtur në Shtëpinë e Bardhë krah Trumpit, Vance e vuri theksin te rreziku që paraqet programi bërthamor iranian dhe te roli i tij institucional në mbështetje të vendimeve presidenciale.
Duke folur përpara gazetarëve, Vance deklaroi se parandalimi i Iranit nga pajisja me armë bërthamore është një objektiv i domosdoshëm strategjik, duke shtuar se nëse Teherani do të zotëronte një armë të tillë, do ta përdorte atë.
Sipas tij, Irani mbetet sponsori më i madh shtetëror i terrorizmit dhe një armë bërthamore do të shfrytëzohej prej tij si mjet presioni ose për sulm.
Vance nënvizoi gjithashtu se vendimmarrja i takon presidentit dhe se Trump ka bërë të qartë se do ta ndërmerrte sërish luftën kundër Iranit.
“Detyra ime është të mbështes presidentin”, u shpreh ai, duke reflektuar linjën e tij të mbështetjes ndaj kreut të Shtëpisë së Bardhë edhe pse pas zgjedhjeve afatmesme kishte ngritur publikisht në rrjetin X çështjen e kostos politike të konfliktit dhe humbjes së kontrollit republikan në Kongres.
Nga ana e tij, Donald Trump mohoi se është i pakënaqur me deklaratën e zëvendëspresidentit të tij, e cila e lidhte luftën me Iranin me humbjet e republikanëve në zgjedhjet afatmesme.
Trump tha se analiza e Vance ishte “në rregull” dhe madje “shumë e saktë”, duke pranuar se konflikti ka ndikuar në rritjen e çmimeve, përfshirë ato të karburanteve, por duke shtuar se do të kishte dashur të theksonte edhe më fort se do ta niste sërish të njëjtin veprim për të mos lejuar që Irani të sigurojë armë bërthamore.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.



