Meksikë/ Kapet “El Chapo Isidro”, një nga 10 të kërkuarit e FBI-së, shpërthen dhuna në Sinaloa

Botë | 28 minuta më parë

Autoritetet meksikane kanë vënë në pranga një prej bosëve më të rëndësishëm të trafikut të drogës, Fausto Isidro Meza Flores, i njohur me nofkën “El Chapo Isidro”, gjatë një operacioni të zhvilluar gjatë natës në shtetin verior të Sinaloas. Arrestimi i tij shkaktoi një valë të menjëhershme dhune, duke shkaktuar panik te popullsia civile.

Sipas një raporti të publikuar nga qeveria meksikane mëngjesin e së shtunës, operacioni u realizua me ndihmën e inteligjencës së administratës Trump, ndonëse u dhanë pak detaje mbi mënyrën e koordinimit mes dy vendeve. Meza Flores renditej mes 10 të arratisurve më të kërkuar nga FBI-ja dhe konsiderohej si një nga drejtuesit kryesorë të organizatës kriminale Beltrán Leyva, si dhe një aleat kyç për fraksionin e Kartelit Sinaloa të njohur si “Los Mayos”.

Kapja e tij përbën një goditje të rëndë për këtë grupim, në një kohë kur ai është i përfshirë në përplasje të ashpra me një fraksion rival për kontrollin e territorit.

Ndërhyrja e forcave të sigurisë u zhvillua në qytetin e Guasave, ku autoritetet bënë me dije se përdorën “fshehtësi dhe befasi” duke ngritur një perimetër sigurie rreth banesës ku fshihej bosi i kartelit. Gjatë operacionit, efektivët u sulmuan me armë zjarri dhe eksplozivë nga persona të dyshuar si operativë të kartelit, përpara se forcat e armatosura të hynin në ndërtesë dhe të kryenin arrestimin.

Pamjet e shpërndara nga autoritetet tregojnë ushtarakë të armatosur rëndë që shoqërojnë të ndaluarin drejt pjesës së pasme të një kamioni.

Menjëherë pas arrestimit, qyteti i Guasave u përfshi nga kaosi. Pamjet nga vendngjarja tregojnë civilë të tmerruar që largohen me vrap mes të shtënave gjatë një ndeshjeje bejsbolli, automjete dhe pika karburanti të përfshira nga flakët, si dhe helikopterë që patrullojnë zonën. Shfaqje të tilla force janë një reagim i zakonshëm i karteleve meksikane pas kapjes ose eliminimit të drejtuesve të tyre.

Meza Flores kërkohej nga drejtësia amerikane për trafikim të lëndëve narkotike dhe mbajtje të paligjshme të armëve të zjarrit, ndërsa Uashingtoni nuk ka dhënë ende komente të detajuara mbi ngjarjen.

Ky arrestim vjen në kuadër të një fushate të gjerë të presidentes meksikane, Claudia Sheinbaum, e cila përballet me presionin e presidentit amerikan Donald Trump për goditjen e krimit të organizuar. Gjatë dy viteve të saj në detyrë, Sheinbaum ka ndjekur një qasje më agresive ndaj karteleve, çka ka sjellë një rënie të ndjeshme të vrasjeve dhe neutralizimin e figurave të larta kriminale, përfshirë vrasjen në shkurt të Nemesio Oseguera Cervantes, i njohur si “El Mencho” – një tjetër ngjarje që u pasua nga trazira të ngjashme.

Në një reagim në platformën X të shtunën në mëngjes, Sekretari meksikan i Sigurisë, Omar García Harfuch, konfirmoi se forcat e armatosura do të vijojnë të qëndrojnë të dislokuara në Sinaloa për të garantuar sigurinë e qytetarëve.

“Këto ndalime janë një hap i rëndësishëm në qetësimin e Sinaloas”, deklaroi ai.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme