Mbrojtja e tokës bujqësore dhe shëndetit, Ministria e Mjedisit përgatit standardet e reja për llumrat e ujërave të ndotura

Ministria e Mjedisit ka hartuar një projektvendim të ri që vendos rregulla të rrepta, procedura të qarta dhe standarde kontrolli për përdorimin në bujqësi të llumrave që gjenerohen nga trajtimi i ujërave të ndotura. Ky akt nënligjor vjen në zbatim të ligjit “Për menaxhimin e integruar të mbetjeve” të vitit 2025 dhe synon të parandalojë ndotjen e tokës bujqësore, të ujërave dhe rreziqet për shëndetin e njeriut, duke përafruar njëkohësisht legjislacionin shqiptar me direktivat e Bashkimit Evropian në kuadër të negociatave për Kapitullin 27.
Sipas relacionit shpjegues që shoqëron dokumentin, akti i ri shfuqizon vendimin e mëparshëm të vitit 2015, duke plotësuar mangësitë e konstatuara dhe duke vendosur masa mbrojtëse më të larta. Pikat kryesore të rregullores së re përfshijnë ndalime të rrepta për kulturat ushqimore. Projektvendimi ndalon kategorikisht përdorimin e llumit të patrajtuar, të llumit që vjen nga impiantet e ujërave të ndotura industriale, si dhe atij që klasifikohet si mbetje e rrezikshme. Po ashtu, “ndalohet përdorimi i llumit në toka ku rriten kultura frutore ose perimore, me përjashtim të pemëve frutore, si dhe në toka për perime që konsumohen të pagatuara, për 10 muaj para vjeljes”.
Për kullotat dhe kulturat foragjere vendoset një ndalim 3-javor para kullotjes ose korrjes, ndërsa llumi i gropave septike lejohet vetëm në kullota, me një afat ndalimi 6-mujor.
Llumi i trajtuar mund të përdoret vetëm në toka me vlerë pH 6 ose më të lartë dhe pa tejkaluar kufijtë e lejuar të metaleve të rënda. Për të garantuar sigurinë, “llumi analizohet të paktën çdo 6 muaj”, ndërsa toka bujqësore duhet të analizohet përpara përdorimit të parë dhe më pas të paktën çdo 5 vjet.
Përpara çdo dorëzimi, fermeri ose përdoruesi i deklaron prodhuesit vendndodhjen e saktë të tokës me të dhëna gjeohapësinore, kulturën që kultivon dhe analizat e tokës. Prodhuesit e llumit detyrohen të raportojnë në regjistrin elektronik të mbetjeve, ndërsa Agjencia Kombëtare e Mjedisit (AKM) do të publikojë çdo vit të dhënat e përmbledhura dhe hartat gjeohapësinore për publikun.
Zbatimi i këtij projektvendimi nuk sjell shpenzime shtesë për buxhetin e shtetit. Sipas relacionit, “kostot e trajtimit, të analizave të llumit dhe të tokës, si dhe të mbajtjes së regjistrave përballohen nga prodhuesit dhe përdoruesit e llumit”. Shkelja e këtyre rregullave përbën kundërvajtje administrative dhe ndëshkohet me gjoba sipas ligjit të mbetjeve.
Përveç rregullave detyruese, institucionet përgjegjëse do të hartojnë edhe “Kodin Shqiptar të Praktikave të Mira për Përdorimin e Llumrave në Bujqësi”, i cili do të shërbejë si udhëzues teknik për operatorët e impianteve dhe fermerët. Akti pritet të kalojë tashmë në fazën e konsultimit ndërinstitucional dhe publik përpara miratimit përfundimtar në Këshillin e Ministrave.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




