Tiranë, shpërthim me lëndë plasëse në banesën e 47-vjeçares, identifikohet autori i dyshuar

Policia e Tiranës ka zbardhur shpërthimin me lëndë plasëse të ndodhur më 14 nëntor 2026, në rrugën “Sadik Petrela”, ku një sasi e dyshuar eksplozivi shpërtheu në derën e jashtme të banesës së një 47-vjeçareje.
Në kuadër të operacionit policor të koduar “Gjurmimi”, është identifikuar dhe shpallur në kërkim një 60-vjeçar, banues në Elbasan, i dyshuar si autor i ngjarjes.
Në lidhje me këtë ngjarje, ka nisur procedimi penal në gjendje të lirë edhe për tri shtetase, përkatësisht 21, 18 dhe 17 vjeçe.
Sipas hetimeve, ato dyshohet se kanë qenë në automjet së bashku me 60-vjeçarin në momentin e kryerjes së shpërthimit, por nuk kanë kallëzuar krimin. Për këtë arsye, ato po procedohen për veprën penale “Moskallëzimi i krimit”.
Gjatë veprimeve hetimore, policia ka sekuestruar në cilësinë e provës materiale automjetin që dyshohet se është përdorur ditën e ngjarjes, si dhe katër telefona celularë.
Ndërkohë, vijon puna për lokalizimin dhe kapjen e 60-vjeçarit të shpallur në kërkim, si dhe për dokumentimin e plotë ligjor të ngjarjes. Materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë së Tiranës për veprime të mëtejshme.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.



