Emocionet dhe pritshmëritë e këngëtarëve në “Fest 65”/Katër artistë, katër rrëfime për magjinë e skenës

Festivali | 22 minuta më parë

Ndërsa Festivali i 65-të i Këngës në RTSH po afron, atmosfera mes artistëve pjesëmarrës bëhet gjithnjë e më intensive. Provat, puna me detajet muzikore dhe përgatitjet skenike janë tashmë pjesë e përditshmërisë së tyre, në një proces ku çdo ditë sjell një përvojë të re dhe një mundësi më shumë për të përsosur interpretimin.

Përtej notave muzikore dhe performancës në skenë, ky është një rrugëtim që mbart emocione, pritshmëri dhe përjetime personale. Për secilin prej artistëve, kënga që do të prezantohet në këtë edicion nuk është thjesht një krijim muzikor, por një histori që kërkon të marrë jetë përmes zërit, interpretimit dhe komunikimit me publikun.

Katër prej këngëtarëve pjesëmarrës ndalen në këtë etapë të përgatitjeve për të ndarë me ne më shumë mbi procesin artistik, sfidat e provave dhe emocionet që shoqërojnë afrimin e festivalit.

“Provat shkuan shumë mirë. Është e njëjta energji e mirë gjithmonë nga Orkestra e RTSH-së. Shumë emocione si në provën e parë. Kisha shumë kuriozitet se si do të tingëllonte kënga që unë kam punuar me orkestrën dhe ishte pikërisht ashtu siç e kisha imagjinuar”, u shpreh këngëtari, Eldis Arrnjeti.

“Në fakt, unë e mora vesh nga lista. Isha në shtëpi dhe thjesht hapa telefonin rastësisht. Po flisnim nëse isha pranuar apo jo, kur pashë që emri im kishte dalë në listë dhe u gëzova shumë, të them të drejtën. Është hera e parë që gëzohem kaq shumë për emrin tim në një festival, edhe pse është hera ime e tretë që marr pjesë. Kam një dashuri shumë të madhe për Radio Televizionin Shqiptar dhe, gjithashtu, për Festivalin”, tha këngëtarja.

“Hera e parë në festivalin e radio televizionit shqiptar. Shumë kohë më parë, kur kam qenë back vocal në Eurovision 2016, dëshiroja me patjetër të prekja skenën magjike të Festivalit të Radio Televizionit Shqiptar. Jam tejet i lumtur që kjo dëshirë u bë realitet”, theksoi një tjetër këngëtar pjesëmarrës.

“Faza e ambientimit është shumë e rëndësishme, por e mira është që këtu ka shumë prova. Kështu, në çdo provë, edhe ne rritemi bashkë me këngën, ndaj besoj se çdo gjë do të shkojë siç duhet. Ashtu siç ndodhi edhe sot, mendoj se prova e parë shkoi shumë mirë. Orkestra është fantastike”, tha këngëtari.

Në këtë fazë, çdo provë është një mundësi për të eksperimentuar, për të zbuluar nuanca të reja dhe për të ndërtuar një interpretim sa më autentik.

Me afrimin e netëve të festivalit, pritshmëritë rriten, ndërsa artistët përgatiten të sjellin në skenën e festivalit krijimet e tyre, duke shpresuar që përmes muzikës të krijojnë një lidhje të veçantë me publikun.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme