Shkodra frymëzon artistët, holli i Bashkisë Shkodër shndërrohet në galeri arti përmes veprave të piktorëve

Kulturë | 8 minuta më parë

Holli i Bashkisë Shkodër u shndërrua në një galeri arti, duke mirëpritur ekspozitën e radhës të “Shkodra Art Residency 2026”. Artistë nga Shkodra dhe qytete të tjera prezantuan punimet e tyre në pikturë, duke sjellë përmes ngjyrave dhe krijimtarisë këndvështrime të ndryshme artistike.

“Rezidencat e artit këtë kanë për qëllim, domethënë, të shkëmbejmë eksperiencat jo vetëm profesionale, por edhe në çdo aspekt tjetër njerëzor, të themi, të legjendave, historisë dhe miteve”, u shpreh organizatori, Saimir Ahmeti.

Këngëtari i mirënjohur Nikollë Nikprelaj, këtë herë erdhi në Shkodër jo përmes muzikës, por në cilësinë e piktorit.

“Unë kam studiuar pikturë, por për fat të keq nuk jam marrë sa duhet me të dhe nuk i kam kushtuar vëmendjen e duhur, sepse muzika më ka marrë të gjithë kohën”, tha artisti, Nikollë Nikprelaj.

Për artistët pjesëmarrës, Shkodra mbetet një qytet frymëzues, me një traditë të pasur kulturore dhe artistike.

“Jam paraqitur me një peizazh paksa të ndryshëm. Dihet që Shkodra ka një pafundësi bukurish natyrore dhe unë kam marrë një fragment nga liqeni i Shkodrës”, tha piktorja Greta Tahiraga.

Ekspozita u vizitua edhe nga kryetari i Bashkisë Shkodër, Benet Beci, i cili u njoh nga afër me veprat e artistëve pjesëmarrës.

Gazetar: Marjo Gjini

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme