Festivali i 65-të i Këngës në RTSH, dirigjenti Qinami zbulon detaje nga përgatitjet: Këtë vit dominojnë rock-u dhe baladat
Festivali i Këngës në Radio Televizionin Shqiptar po bëhet gati për edicionin e tij të 65-të, ndërsa përgatitjet dhe provat kanë nisur prej ditësh. Orkestra Simfonike, këngëtarët, solistët dhe banda po punojnë intensivisht për të sjellë në skenën e Pallatit të Kongreseve një spektakël të veçantë, që ndërthur krijimtarinë e re me emocionet dhe nostalgjinë e festivalit.
I ftuar në emisionin “Mirëmëngjes Shqipëri” në RTSH, dirigjenti Olsi Qinami, foli për përgatitjet, përgjegjësinë e drejtimit të orkestrës dhe risitë që ka vënë re në repertorin e këtij edicioni.
Sipas Qinamit, këtë vit duket se ka më pak këngë me motive folklorike, ndërsa në repertor po spikasin më shumë rock-u dhe baladat.
“Vitet e tjera ka pasur shumë këngë në folk, në këtë traditë. Këtë vit, sikur ka më pak folk. Sikur po dëgjojmë më shumë këngë rock, balada. Ka edhe këngë me motive folk, me motive tradicionale, por sikur vitet e tjera ka pasur më shumë”, tha ai.
Dirigjenti theksoi se drejtimi i orkestrës në një festival të tillë është njëkohësisht përgjegjësi e madhe dhe kënaqësi profesionale, pasi çdo edicion sjell këngë, artistë dhe repertorë të ndryshëm. Një element i veçantë mbetet edhe ndërthurja e muzikës së re me këngët e nostalgjisë, që i kushtohet natës së tretë të festivalit.
“Është përgjegjësi e madhe, por gjithashtu shumë kënaqësi, sepse çdo vit janë këngë të ndryshme, plus këngët e nostalgjisë që quhet nata e tretë. Është diçka interesante të shkëputem nga tradita jonë më shumë simfonike, veprat klasike. Bëhet një miksim me këngë, me orkestër”, tha ai.
Dirigjenti Qinami u ndal edhe te sfidat e përgatitjeve, duke shpjeguar se puna nuk kufizohet vetëm te muzika. Stabilizimi i audios, fonisë, ndriçimit dhe koordinimi mes orkestrës, këngëtarëve, bandës dhe regjisë janë disa prej elementeve që kërkojnë kohë dhe përkushtim.
“Pjesa më e vështirë është ndoshta kur fillojmë provat në Pallatin e Kongreseve, që të stabilizohemi me audion, me foninë, që ta dëgjojmë çdo gjë saktë. Është sallë shumë e madhe, ka shumë elemente që duhen rregulluar, që të stabilizohet e gjithë orkestra, këngëtarët, banda dhe regjia”, u shpreh Qinami.
I pyetur nëse artistët synojnë përmes Festivalit të Këngës edhe përfaqësimin në Festivalin Evropian të Këngës, Qinami u shpreh se për shumë prej tyre është një dëshirë e mundshme, por theksoi se motivimi kryesor mbetet edhe vetë mundësia për të performuar me orkestrën dhe përpara publikut.
Dirigjenti kishte edhe një këshillë për artistët që do të ngjiten në skenë, të shijojnë performancën, të mos shqetësohen për detajet e vogla dhe të ruajnë karakterin e këngës që interpretojnë.
“Thjesht shijojeni sa më shumë performancën, shfaqjen dhe mos u shqetësoni shumë për gjërat më të vogla që mund të ndodhin, sepse asgjë nuk shkon perfekt. Mundohuni të jeni sa më të lirshëm dhe të shprehni atë që doni përpara publikut”, tha ai.
Me provat që vijojnë çdo ditë, Festivali i 65-të i Këngës në RTSH ka hyrë në fazën intensive të përgatitjeve, për të sjellë një tjetër edicion ku tradita, nostalgjia dhe krijimtaria e re do të takohen në skenën e madhe të muzikës shqiptare. Festivali i 65-të i Këngës në RTSH do të zhvillohet më datat 17 deri në 20 dhjetor.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




