Guardiola: Jam tifoz i Barçës, prandaj nuk e mora Messi-n me vete!

Trajneri katalanas ka vizituar Brazilin ditët e fundit dhe ka përfituar nga rasti për të qenë protagonist i podcast-it “Romario TV”, i cili siç kuptohet edhe nga emri drejtohet prej ish-sulmuesit ikonik të Seleçaos.
Biseda mes dy personazheve ngacmoi një mori temash, duke përfshirë Lamine-n, ofertën e mundshme të Guardiolës për të drejtuar Italinë, Neymar, Messi… dhe Ancelotti-n.

Mendimi i Romario-s për trajnerin aktual të Brazilit është i njohur prej të gjithëve, por për Guardiolën, gjërat janë ndryshe. “Është një gjë shumë e rëndësishme. Dhe ndonjëherë, në këtë sport, i cili është shumë i vështirë, të duhet kohë. Asgjë nuk mbaron në momentin e emërimit. Carlo, Pep, Jürgen (Klopp), José (Mourinho), kushdo mund të vijë dhe brenda dy ditësh pesë herë kampionët e botës janë përsëri kampionë bote. Ndonjëherë të duhet pak më shumë kohë”, tha Guardiola.

Pep Guardiola nuk u përpoq kurrë ta joshte Leo Messin dhe ta merrte me vete larg Barcelonës, ndryshe nga ajo që ndodhi me Neymarin. Arsyeja, sipas trajnerit, nuk kishte të bënte fare me çështje sportive apo financiare, por me lidhjen e tij emocionale me klubin.
“Nuk e kam telefonuar kurrë. Jam tifoz i Barcelonës, preferoja që ai të qëndronte atje”, pranoi trajneri, duke shfrytëzuar gjithashtu rastin për të nxjerrë në pah talentin e lojtarëve me të cilët ka punuar gjatë gjithë karrierës së tij dhe ndikimin e tyre në suksesin e klubit.
Gjatë bisedës, e cila zgjati mbi 40 minuta, Romario e pyeti Guardiolën për ofertën e tij të mundshme për të drejtuar Italinë. Trajneri katalanas foli për këtë çështje për herë të parë. “Fola me ata. Është hera e parë që flas për këtë, por më vjen turp t’i them jo një vendi si Italia. Është një nga nderet e mia më të mëdha që jam marrë në konsideratë për punën e Italisë, por ndjeva se duhej të ndalesha. Nëse do të më kishin folur vite më parë, ndoshta do ta kisha pranuar. Por në atë kohë, së bashku me Paolo Maldini dhe Leonardon, më shkoi ndërmend se duhej të ndalesha”, tha ai. A.V.
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




