Dita e Falenderimeve e gjen SHBA-në në kaos, moti i keq shkakton probleme në qytetet amerikane dhe transportin ajror

Amerikë | 4 minuta më parë

Një stuhi e fuqishme që ka përfshirë pjesën qendrore dhe verilindore të Shteteve të Bashkuara ka shkaktuar kaos, ndërsa vendi feston Ditën e Falenderimeve.

Qindra mijëra njerëz mbetën pa energji elektrike pasi stuhia me erëra të forta e shira të rrëmbyeshëm shkaktoi përmbytje në zonat lindore. Pensilvania ishte shteti më i prekur nga ndërprerjet e energjisë elektrike gjatë të premtes, ndërsa autoritetet paralajmëruan se rikthimi i saj mund të dojë disa ditë.

Problemet me fluturimet vazhduan edhe të premten, ndërsa një ditë më parë u anuluan  460 fluturime dhe mbi 2500 të tjera u përballën me vonesa, në një kohë që më shumë se 80 milionë amerikanë pritet të udhëtojnë gjatë kësaj jave. Stuhia, e shoqëruar me reshje intensive ka goditur veçanërisht bregdetin lindor.

Guvernatorët e Nju Xhersit dhe Nju Jorkut shpallën gjendjen e emergjencës, ndërsa disa komunitete përgjatë bregdetit u përballën me përmbytje të konsiderueshme. Në Nju Jork, parada tradicionale e Ditës së Falënderimeve e organizuar nga Macy’s u shty për të shtunën. Ndërkohë, në Uashington u regjistrua Dita e Falënderimeve më e lagësht në histori, me ujërat që përmbytën edhe pistat e Aeroportit Kombëtar Reagan.

Probleme nga moti i keq u raportuan edhe në Kaliforni, duke rritur rrezikun e përmbytjeve, ndërsa disa linja hekurudhore u anuluan për shkak të dëmtimeve të shkaktuara nga uji. Shërbimet meteorologjike paralajmëruan se stuhitë do të vijojnë të prekin edhe veriperëndimin e vendit, duke vështirësuar më tej udhëtimet gjatë Festës së Falenderimeve.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme