“Unë tregoj“ fushatë kundër ngacmimit dhe dhunës seksuale

Sociale | 3 vite më parë

Me nisjen e 16 ditëve të aktivizmit kundër dhunës ndaj grave dhe vajzave, Albanian Woman in Audiovisual (AWA) hapi fushatën kundër ngacmimit dhe dhunës seksuale të titulluar “Unë tregoj“.

AWA vendosi të thyejë tabutë dhe të nxisë denoncimin e këtij fenomeni nëpërmjet formave të audiovizualit, siç është teatri i rrugës, podkastet dhe komunikimet outdoor.

Fushata, e cila u çel në bashkinë e Shijakut, u përshëndet nga Monica Merino, përfaqësuese e përhershme e UNDP Shqipëri dhe kryetari i bashkisë Shijak, Elton Arbana.

Sjellja e shfaqjes “Porta e Fjalës” me regji të Ema Andreas në qytetin e Shijakut kishte për qëllim të nxiste pikërisht dhënien e mesazheve sensibilizuese për të kuptuar se ngacmimi seksual nuk është vetëm një krim kundër vajzave dhe grave, por kundër të gjithë shoqërisë.

Valbona Sulçe, në cilësinë e përfaqësueses së AWA-s, shpjegoi në fjalën e saj synimin e kësaj fushate.

“Ngacmimi dhe dhuna seksuale është jo vetëm ndër format më të përhapura të dhunës ndaj grave dhe vajzave, por ajo mbetet ndër format më pak të raportuara dhe të denoncuara për shkak të mendësive që fajësojnë vajzat dhe gratë për këtë krim”, tha ajo.

Përgjatë aktivitetit, të pranishmit patën mundësi të merrnin informacion edhe mbi rolin e Mekanizmit të Referimit kundër ngacmimit dhe dhunës seksuale si dhe mbi programin e vetëmbrojtjes në shkolla, zbatuar nga fondacioni ESD Albania.

Ky aktivitet organizohet nga AWA në bashkëpunim me UNDP, në kuadër të Programit të Përbashkët të Kombeve të Bashkuara “Ti japim fund dhunës ndaj grave”, i financuar nga qeveria e Suedisë.

/ rtsh.al /


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme