SHBA nis operacionin e dëbimit, arrestohen mbi 500 emigrantë

Administrata e re amerikane e nisi mandatin e saj me një lëvizje të diskutueshme për të luftuar migracionin e paligjshëm.
Vetëm tri ditë pasi presidenti Donald Trump mori detyrën, autoritetet filluan atë që e konsiderojnë operacionin më të madh të dëbimit në historinë e Shteteve të Bashkuara, duke arrestuar mbi 500 emigrantë të paligjshëm dhe duke deportuar qindra të tjerë.
“Administrata Trump arrestoi 538 kriminelë emigrantë të paligjshëm, përfshirë një terrorist të dyshuar, katër anëtarë të bandës Tren de Aragua dhe disa të tjerë të dënuar për krime seksuale kundër të miturve,” tha sekretarja për shtyp e Shtëpisë së Bardhë, Karoline Leavitt, duke shtuar se qindra persona janë deportuar me avionë ushtarakë.
“Operacioni më i madh i dëbimit në histori është duke u zhvilluar,” u shpreh ajo.
Trump premtoi goditje ndaj emigracionit të paligjshëm gjatë fushatës zgjedhore dhe filloi mandatin e tij të dytë këtë javë me një mori urdhrash ekzekutivë, që synojnë rishikimin e hyrjeve në Shtetet e Bashkuara.
Në ditën e tij të parë në detyrë, Trump nënshkroi urdhra për shpalljen e një emergjence kombëtare në kufirin jugor dhe njoftoi vendosjen e më shumë trupave në zonë, duke premtuar se do të dëbonte të gjithë të huajt kriminelë.
Sipas urdhrit ekzekutiv shumë nga emigrantët paraqesin kërcënim për sigurinë kombëtare dhe publike.
Në mbështetje të këtyre përpjekjeve, Kongresi amerikan miratoi një ligj më 23 janar, që krijon lehtësira për ndalimin dhe dëbimin e emigrantëve pa dokumente që hyjnë në vend pa autorizim dhe akuzohen për krime specifike.
Në Shtetet e Bashkuara jetojnë rreth 11 milionë emigrantë pa dokumente.
Gazetare: Vjollca Zharri
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




