Shkëmbimi i dytë i pengjeve, Hamasi publikon emrat e katër izraelitëve që do të lirohen të shtunën

Grupi militant Hamas publikoi të premten emrat e katër pengjeve që tha se do t’i lironte të nesërmen si pjesë e armëpushimit në Rripin e Gazës.
Bëhet fjalë për ushtarët Karina Ariev, Daniela Gilboa, Naama Levy dhe Liri Albag.
Lirimi i tyre do të bëhet në këmbim të lirimit të 180 të burgosurve palestinezë nga autoritetet izraelite.
Ky është shkëmbimi i dytë që nga fillimi i armëpushimit të dielën e kaluar, kur tre pengje dhe 90 të burgosur palestinezë u liruan.
Pas marrëveshjes, Hamasi pritet të japë informacion për 26 pengjet e mbetura të planifikuara për t’u liruar brenda pesë javëve të ardhshme.
Të burgosurit palestinezë që do të lirohen këtë herë, disa kanë kryer vrasje dhe disa janë duke vuajtur dënime mbi 15 vjet.
Izraeli, megjithatë, ka deklaruar se asnjë nga ata që janë përfshirë në sulmet e 7 tetorit nuk do të lirohet.
Të afërmit e pengjeve që ende mbahen nga militantët në Gaza i kishin bërë thirrje kryeministrit izraelit Benjamin Netanyahu që të sigurohej që të lirohen të gjithë robërit e mbetur, ndërsa gjithashtu i bënë thirrje Presidentit të SHBA Donald Trump që të vazhdojë të bëjë presion për lirimin e tyre.
Marrëveshja e armëpushimit u arrit pas muajsh negociatash indirekte midis Izraelit dhe Hamasit, të ndërmjetësuara nga Shtetet e Bashkuara, Katari dhe Egjipti.
Ai do të zbatohet në tre faza, ku e dyta do të fillojë gjashtë javë pas fillimit të armëpushimit. Në fazën e parë, 1900 të burgosur palestinezë do të lirohen në këmbim të 33 pengjeve.
Në të njëjtën kohë, forcat izraelite do të fillojnë të tërhiqen nga pozicionet në Gaza, duke lejuar qindra mijëra palestinezë të zhvendosur të kthehen në shtëpitë e tyre.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




