Agjencia e spiunazhit të Seulit: Ushtarët e Koresë së Veriut të kapur në Ukrainë s’duan të dezertojnë

Agjencia e spiunazhit të Koresë së Jugut ka bwrw tw ditur se dy ushtarët e Koresë së Veriut që u kapën nga forcat ukrainase ndërsa luftonin përkrah forcave ruse në rajonin kufitar Kursk të Rusisë, nuk kanë shprehur dëshirën për të kërkuar azil në Korenë e Jugut.
Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky ka thënë se është i gatshëm t’i dorëzojë ushtarët Koresë së Veriut nëse udhëheqësi autoritar i vendit, Kim Jong Un, organizon një shkëmbim me të burgosurve të luftës ukrainas në Rusi.
Zelensky tha se njëri nga ushtarët e Koresë së Veriut dëshiron të qëndrojë në Ukrainë, ndërsa tjetri dëshiron të kthehet në vendin e tij, gjë që ishte në përputhje me videot e intervistave të publikuara nga qeveria e tij.
“Nëse Kim Jong Un i kujton këta shtetas të tij dhe është në gjendje të organizojë një shkëmbim për luftëtarët tanë që mbahen në Rusi, ne jemi të gatshëm të transferojmë ushtarë të tillë. Padyshim që do të ketë më shumë të burgosur nga Koreja e Veriut”, tha Zelenskyy në një fjalim të dielën vonë. Ai tha në një postim të veçantë në platformën e mediave sociale X se “mund të ketë opsione të tjera” për të burgosurit koreano-veriorë që nuk dëshirojnë të kthehen.
Në një konferencë me dyer të mbyllura në Asamblenë Kombëtare të Koresë së Jugut, Shërbimi Informativ Kombëtar konfirmoi pjesëmarrjen e tij në marrjen në pyetje të ushtarëve koreano-veriorë nga autoritetet ukrainase. Agjencia tha se ushtarët nuk kanë shprehur një kërkesë për t’u zhvendosur në Korenë e Jugut, sipas dy ligjvënësve që morën pjesë në takim.
Agjencia tha se ishte e gatshme të diskutonte çështjen me autoritetet ukrainase nëse ushtarët përfundimisht kërkojnë të shkojnë në Korenë e Jugut.
Rreth 34 mijë koreano-veriorë kanë dezertuar në Korenë e Jugut për të shmangur vështirësitë ekonomike dhe shtypjen politike në vend, kryesisht që nga fundi i viteve 1990.
Koo Byoungsam, zëdhënës i Ministrisë së Unifikimit të Koresë së Jugut, e cila merret me çështjet ndërkoreane, tha se lehtësimi i azilit të ushtarëve të Koresë së Veriut do të kërkonte “shqyrtime ligjore, duke përfshirë të drejtën ndërkombëtare dhe konsultime me kombet e lidhura”.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




