Deklaratat e Trump për të marrë Groenlandën, Danimarka e hapur për dialog me SHBA

Danimarka është e hapur për bisedime me Shtetet e Bashkuara për të mbrojtur interesat e SHBA në Arktik, pasi presidenti i zgjedhur i SHBA Donald Trump tha se nuk përjashton veprimin ushtarak për të marrë Groenlandën.
Trump, i cili merr detyrën më 20 janar, refuzoi të përjashtonte ndërhyrjen ushtarake mbi Kanalin e Panamasë dhe Groenlandën, të dyja këto që ai ka thënë se dëshiron që Shtetet e Bashkuara t’i kontrollojnë.
Ministri i Jashtëm danez Lars Lokke Rasmussen u tha gazetarëve se mbretëria daneze, që përfshin Danimarkën, Groenlandën dhe Ishujt Faroe, është “e hapur për një dialog me amerikanët se si mund të bashkëpunojmë, ndoshta edhe më ngushtë se ç’bëjmë tashmë, për të siguruar që ambiciet amerikane të përmbushen”.
Loke Rasmusen vuri në dukje se Shtetet e Bashkuara dhe NATO kishin interesa “legjitime” në rajon për shkak të ngjarjeve ndërkombëtare.
“Me shkrirjen e Arktikut dhe hapjen e korsive të reja të transportit detar, fatkeqësisht po shohim edhe një rritje të rivalitetit të madh të fuqisë. Ne shohim një Rusi që po armatoset. Ne shohim një Kinë që gjithashtu ka filluar të interesohet,” tha ministri i jashtëm.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




