Kremlini mohon bisedën Tramp-Putin, zëdhënësi Peskov: “Trillim i pastër”

Europë | 2 vite më parë

Këtë të hënë, Kremlini mohoi të ketë pasur një bisedë telefonike mes presidentit të sapozgjedhur të SHBA-së, Donald Tramp dhe presidentit rus Vladimir Putin.

“Kjo është krejtësisht e pavërtetë. Ky është një trillim i pastër, është thjesht informacion i rremë,” u tha gazetarëve zëdhënësi i Kremlinit, Dmitri Peskov, duke theksuar se mes dy liderëve nuk ka pasur asnjë bisedë telefonike.

“Ky është shembulli më i dukshëm i cilësisë së informacionit që po publikohet tani, ndonjëherë edhe në gazeta me reputacion të lartë,” tha Peskov.

I pyetur nëse Putini kishte plane për ndonjë kontakt me Trampin, zëdhënësi i Kremlinit u shpreh se nuk ka ndonjë plan konkrete.

Gazeta amerikane “Washington Post”, duke cituar burime të paidentifikuara, raportoi të dielën se Trampi zhvilloi një bisedë telefonike me Vladimir Putinin më 7 nëntor, një ditë pasi kishte biseduar me presidentin e Ukrainës, Volodimir Zelenski, duke i kërkuar kreut të shtetit rus që të mos e përshkallëzojë konfliktin në Ukrainë.

Gjatë fushatës për zgjedhjet presidenciale, republikani Tramp deklaroi se nëse do të zgjidhej president ai do t’i jepte fund shumë shpejt luftës në Ukrainë, ndërsa ka kritikuar vazhdimisht ndihmën financiare dhe ushtarake që SHBA-ja i ka dhënë Ukrainës që nga nisja e konfliktit të armatosur në shkurt të vitit 2022.

Gazetare: Vjollca Zharri

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme